Ka ndërruar jetë Papa Benedikti i XVI, në moshën 95-vjeçare. Lajmi konfirmohet tashmë edhe nga mediat italiane.
Papa Françesku deklaroi disa ditë më parë se Benedikti i XVI ishte shumë i sëmurë dhe u kërkoi njerëzve të luteshin për të.
Ish-kreu i Kishës Katolike, i cili u bë i pari, në 600 vjet, që doli në pension, ishte në gjendje të merrte pjesë në meshën që u mbajt në banesën e tij.
Pas daljes në pension, ai mori titullin Papa Emeritus dhe zgjodhi ta jetonte pensionin i izoluar në një manastir në Vatikan.
Në fillim të kësaj jave, Selia e Shenjtë tha se gjendja e 95-vjeçarit ishte përkeqësuar papritur, për shkak të moshës.
“Rottweiler i Zotit”
Përpara se të zgjidhej Papë, në vitin 2005, kardinali i atëhershëm Joseph Ratzinger shërbeu si kreu i mbikëqyrësit doktrinor të Vatikanit, i quajtur Kongregacioni për Doktrinën e Besimit.
Ai mbajti rolin e fuqishëm për 24 vjet, duke fituar pseudonimin “Rottweiler i Zotit” për pikëpamjet e tij rreptësisht konservatore teologjike.
Duke folur përpara se të shpallej vdekja e tij, Kryepeshkopi katolik i Westminster tha se Benedikti do të mbahet mend si “një nga teologët e mëdhenj të shekullit të 20-të”.
Kardinali Vincent Nichols tha për Times Radio se e kishte takuar Benediktin disa herë dhe ai “ishte gjithmonë kaq i sjellshëm”.
“Kur erdhi në këtë vend, në vitin 2011, ai u përshkrua si “Rottweiler i Zotit”, por në kohën kur u largua, mendoj se ai konsiderohej si xhaxhai i madh i të gjithëve.
“Kishte një butësi të vërtetë tek ai, dhe kur e pashë pak më shumë se një vit më parë, në shtator të vitit të kaluar, kjo nuk kishte ndryshuar. Ai ishte shumë, shumë i dobët, por shumë i zgjuar dhe shumë vigjilent.”