Pas prishjes së objekteve pa leje në pikën turistike të Thethit, autoritetet ligjzbatuese kanë nisur ndëshkimet për personat përgjegjës.

Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, tha se ka pezulluar nga detyra shefin e stacionit policor në Theth, Edison Gjoka.

Ai theksoi se po kryhet një hetim disiplinor për shkelje të rënda.

Sipas Prodës, me abuzimet e konstatuara në terren, shefi i stacionit policor në Theth nuk e meriton të veshë më uniformën e Policisë së Shtetit.

“Është e natyrshme që kur diçka e tillë ndodh, aty për aty ne të vihemi në lëvizje nga qytetarët, por është e papranueshme që ne të vihemi në lëvizje pasi abuzimi është bërë mal në sytë e të gjithë komunitetit dhe vetëm struktura përgjegjëse nuk e ka marrë vesh akoma.
Nisur nga situata e fundit e krijuar me ndërtimet e paprecedenta të konstatuara mu në qendër të Thethit, kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të kryer një hetim të thelluar disiplinor, ku paraprakisht ju informoj se shefi i Stacionit të Policisë Theth është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedura disiplinore për shkelje të rëndë.

Besoj se ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu – pavarësisht denoncimit të bërë nga Policia në prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht për këtë rast në mënyrë të çuditshme Prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi.

Gjithashtu, ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, të cilët po njësoj, nuk e meritojnë të jenë më pjesë e trupës së Policisë së Shtetit“, tha Proda

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *