Arsyeja prapa kallëzimit penale lidhet me ndërtimi te lagja “5 Maji”.
Selia blu argumenton në shkresë se kjo e fundit, iu dha një trafikanti droge – në kundërshtim me ligjin.
“Partia Demokratike ka kallëzuar sot në SPAK Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, shkruhet fillimisht në shkresë.
Në kallëzim, sipas demokratëve, evidentohet se Bashkia Tiranë si autoritet kontraktor ka kualifikuar dhe shpallur fitues kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rapi.
Rapi, vëren kallëzimi, është person me rekorde të rënda kriminale.
“Pronari i kompanisë është një person i dënuar për trafik droge në Itali dhe Spanjë, zotërues i shoqërisë Alesio 2014 sh.p.k. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës dhe për këtë rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg”, cilëson më tej, PD-ja në kallëzimin e saj.
Gjithashtu në kallëzim kërkohet nga SPAK që të kryhet një hetim i plotë dhe i gjithëanshëm për aferën e projektit zhvillimor në njësitë administrative 4 dhe 8.