Nga: L. Skiroi/

Lexova disa lajme sot; ku reporterët e mediave dhe militantët e kulteve fetare kishin zbuluar se 25 qershori, dita e zgjedhjeve Parlamentare- të caktuar rishtas, bien në ditën e Bajramit.

Sigurisht që është një koincidencë e pakëndshme; madje edhe tingëllon sikur jemi akoma shtet ateist.

Një nga përfaqësuesit e besimit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamet Sytari, ka reaguar ashpër dhe publikisht.

Ai ka hedhur ‘bombën’ e arsyetimeve ekstreme që ndodh shpesh herë, duke thënë se ‘as në komunizëm nuk ndodhte’ që dita e Bajramit të zihej me një ‘festë’ politike siç janë zgjedhjet.

Ai ka fajësuar si kryetarin e qeverisë, Rama, edhe liderin e Opozitës, Basha, që në takimin e tyre nuk mundën ta çojnë mendjen deri te festa e Bajramit dhe të mos e okuponin me zgjedhjet parlamentare.

Mirëpo në kujtesën e Imamit të Shkodrës nuk vjen një ngjarje tjetër, e ngjashme me këtë, ajo që ka ndodhur në fillesat e ‘Demokracisë’ në vendin tonë. Zgjedhjet e para pluraliste pas diktaturës komuniste, janë zhvilluar më 31 Mars 1991. Edhe ato ishin zgjedhje të ‘rivendosura’, sepse u shtynë nga afati i përcaktuar i fundit të dhjetorit 1990.

31 Marsi i vitit 1991 ishte dita e Festës së Pashkës së Katolikëve. Atë ditë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të përgjithshme. Kush do të ankohej atëherë?

Edhe ajo periudhë ishte kohë krize politike. Por edhe sot krizë politike. Nga kriza vijmë, në krizë shkojmë- mund të thuhet.

Në këto periudha kush mund ta ketë mendjen te finesat e besimit.

Veritas.com.al/