Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një replikë me komentuesit në median sociale Facebook është përgjigjur në distancë për praninë e flamujve serbë në rrugët e Tiranës.
Rama shkruan se, ditën që ka vizituar Beogradin, kryeqyteti ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia.
Kryeministri ka theksuar se, në Beograd ka folur shqip dhe ka mbrojtur interesat e të gjithë shqiptarëve dhe Shqipërisë.
“Mu në Pallatin Presidencial të Serbisë unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha Rama, duke shtuar se asokohe “ishte hero e tani tradhtar”.
Numri një i Qeverisë ka ravijëzuar sërish se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar.
“E vërteta është se, e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”, ka finalizuar kryeministri deklaratën e tij.
Gjatë protestës së thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kundër ‘Open Balkan’, ndodhi edhe një incident.
Protestuesit dogjën një flamur serb. Ngjarja nuk mbeti pa u komentuar edhe nga mediat lokale në Serbi.
E përditshmja “Kurir” shkroi se “ekstremistë shqiptarë janë mbledhur para kryeministrisë për të protestuar kundër presidentit të Serbisë”.
Nga ana tjetër, Berisha me mbështetësit e tij janë shprehur se nisma ‘Ballkani i Hapur’ ka si qëllim ‘izolimin e Kosovës’.