Frrok Çupi/

 

Nuk është çështje e lumit fizik; çështja është se në Dibër po u vihet kufiri disa çështjeve themeli që janë zgjatuar nëpër jetën tonë, aq të zbehta dhe aq të “pavlera” sa ç’kemi dashur ne vetë t’i shikojmë. Për shembull, qysh në momentin kur fitoi Komunizmi “rrafshues vlerash”, nuk u pranua kurrë se Shkumbini ishte vija ndarëse mes dy dialekteve të shqipes, Toskë dhe Gegë; as se ishte kufiri më verior gjeografik i Epirit. Nuk ka asgjë për të mos u pranuar një e vërtetë historike  dhe etnografike e kombit, por komunizmi që kishte vendosur t’i fuste të gjithë “në një thes”, rrënjosi idenë se është e ndaluar të përmenden  vija dalluese; madje as Shkumbini.

Në fakt, prapa kësaj ngulitjeje ideologjike, disa zona ose personalitete që nuk pranuan dhunimin komunist, u shtypën në mënyrë të veçantë. Por asnjëherë nuk kemi mundur e as kemi dashur ta shikojmë të vërtetën. Një shpatë qëndronte ngritur e bënte me shenjë që askush të mos guxojë.

Mirëpo zgjedhjet e Dibrës për kryetarin e Bashkisë, iu kanë “nxjerr kallajin” dhe iu kanë dhënë peshën e vërtetë punëve tona të lëna zvarrë.  Shkumbini, jo si një lumë fizik, por si një vijë ndarëse, po kalon në Dibër.

Tani mund ta themi, sepse nuk jemi në diktaturë (të paktën legalisht). Mund ta themi se me rastin e zgjedhjeve të Dibrës nxori kokë strategjia e regjimit të diktaturës që “Veriu të shtypet; nuk është me ne!”. Dje, në media, është botuar një dokument i nxjerrë nga arkiva e Mehmet Shehut, ish kryeministër jetëgjatë komunist, ish ministër i Brendshëm (psh., si Tahiri sot), i cili shkruan kështu: “Në Veri nuk do të lëmë shtëpi e njeri më këmbë!”. Gjithë regjimi komunist ka ushtruar këtë peshë në zonat që “nuk janë me ne!”, dhe këto kryesisht ndodheshin në Veri.

Tani mund të themi e të tregojmë çfarë shikojmë dhe çfarë kuptojmë; pa frikën se “Shkumbini” mund të na çojë në ferr. Tani mund të themi, për shembull, se kryeministri është një pinjoll i tipave më të egër të diktaturës, biri i një firmëtari që edhe në sekondat e fundit të diktaturës, (viti 1998) firmos varjen në litar të një poeti verior, veç dhjetë kilometra larg kufirit të Dibrës. Jo veç ky, por secili në qeveri është zgjedhur me gisht që të jetë vazhdues i idesë së Mehmet Shehut. Edhe në qoftë se përsëri ky ekip do të fitojë zgjedhjet e ardhshme, do t’i fitojë me dhunë dhe do ta votojë ajo pakicë që, edhe pse e rrënuar, do të shikojë tek këta “shpirtin kundër Veriut”. Kështu e gatuan këtë realitet. Kjo është ajo çfarë mund ta tregojmë, pa hezituar.

Mund të tregojmë atë që duket e që flet vetë. Kur kryetari socialist (ish- komunist) i Bashkisë së Dibrës u kap në një skandal seksual; në fakt u kap një qeveri, jo një individ. Qeveria qendrore sa ç’e mbrojti, aq edhe e mallkoi Shukri Xhelilin, tipin që ishte kryetar Bashkie. E mallkoi se i bëri gjëmën qeverisë së majtë, alias Rilindje, duke e detyruar të shkelë prapë në Dibër për të marrë vota. Ajo i kishte vënë vizën Dibrës. Vepra më e madhe e nisur para ardhjes së këtyre në qeverisje, Rruga e Arbërit, është nderë tashmë si një kufomë e pakallur (sipas dialektit Tosk). Qeveria e majtë e neveriti këtë projekt. Qeveria e majtë nuk bëri asnjë investim në këtë tokë;  caktoi më pak fonde për Dibrën se sa për ariun në sheshin e Tiranës që mahnit disa vizitorë të varfër të tjerë. Por kur Shukriu plasi bombën, këta u detyruan të pranojnë se “janë ndarë nga Dibra”. Ndryshe këta do të kishin qëndruar në pozitat e kryeministrit kur vizitoi Kukësin, dhe tha: “Këtu më neveritet atdheu!”.

Në qoftë se sot do të gjenden dibranë që të votojnë për qeverinë “e neveritur” prej dibranëve, atëherë kjo do të shërbente për një ndarje tjetër mes vetë dibranëve.

Ndarjet nuk kanë fund; janë si një procesionare vdekje- prurëse e pishave të Dibrës. Që këtu, në fenomenin “Dibër” tanimë po  ravijëzohen të gjitha ndarjet e krijuara në të parën qeveri post- demokraci. E patë çfarë ndodhi në Shkodër? Shkodra është treva e rezistencës së madhe kundër diktaturës, sepse është qendra e madhe e personaliteteve të kulturës.  Para një jave, kur e vizitoi kryeministri, sapo kaloi Urën e Bunës, duket se nisi t’i hajë lëkura. Këta nuk e durojnë Veriun. Aq “i hante” lëkura kryeministrit, saqë u kthye në fëmijë të sinqertë dhe tha se “ Shkodrës nuk i jap kokërr leku!”. Shkodra do të vdesë sa për qeverinë; dhe, qeveria do të vdesë sa për Shkodrën! Në këtë raport e ka vënë veten qeveria me zona dhe popull të selektuar. Vetëm në qeveritë komuniste punët e shtetit ndahen sipas krahinave dhe preferencave, këta nuk njohin konservatorizëm dhe atdhe të përbashkët.

Në Dibër, sa ka plasur fushata elektorale, kanë plasur edhe të gjitha ndarjet.

Po ndahet kureshtja për të parë mbi kokë njeriun që të mashtron hapur, me njeriun e llojit tjetër; po ndahet sadomazohizmi nga kualiteti njerëzor i cili nuk duron që ta rrahë qeveria; po ndahet burri që flet si burri, nga burri që pas fjalës së parë të thotë: “a ke grua ti?”; po ndahet oxhaku nga balta; po ndahet njeriun ga i panjerëzishmi!

Në “Dibër” po kalon Shkumbini i një fenomeni tjetër pan- perversitet politik. Me ç’po shikoj, këtu në “Dibër” shfaqet bishti i një komete politike që përfshiu rajonin. Lloji i politikanëve që mashtrojnë bukur por  bëjnë “bukur” asgjënë për popullin, ka ardhur më shpejt në Shqipëri, dhe tani është në fund. Nëse e majta tani po copëzohet që  në Francë e gjetkë, këtu është në fundin e saj. Në Dibër, e majta ka hyrë në kolaps; çamët që nuk banojnë në Dibër, po i bëjnë më dibranë se dibranët. Grave të dhunuara psikologjikisht  nga skandali “Shukri”, iu kërkohet që  të mbështesin mëkëmbësin e Shukrit. Gjysma e të majtës, LSI, akoma nuk po hyn në fushën e aleancave.  Po u nda e keqja këtë herë në Dibër, ndahet në gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e vitit 2017… Të gjitha në vijë ndarëse, si në dy brigje.

Pyetja shtrohet, më në fund: A do të shkojnë gjërat në vendin e duhur, apo përsëri për keq? Me alegorinë e fillimit: Shkumbini do të shkojë në shtratin e vet, si një lumë në qendër të Shqipërisë?…

/ Veritas.com.al/