Qeveria shqiptare nënshkroi një tjetër marrëveshje me një kompani ndërkombëtare për kërkimin e hidrokarbureve. Kompania ‘ENI’ do të eksplorojë për naftë në bllokun e Dumresë.
Në eventin e nënshkrimit të marrëveshjes i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
“Kontrata do të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë dhe më të madh për shtetin dhe një përfitim shumë më të mirëstrukturuar në aspektet kohore, por përtej kësaj për të pasur një partner që jo thjesht do të eksplorojë dhe do zbulojë naftë, por do ndihmojë në rritjen e cilësisë së burimeve tona njerëzore”, tha Rama, duke shtuar se në këtë marrëveshje do të përshihet edhe Fakulteti i Gjeologji-Miniera, si pjesë e Paktit për Universitetin. Sipas kryeministrit, studentët do të kenë mundësi për trajnime.
Marrëveshja vjen në një moment të vështirë duke pasur parasysh tërmetin e 26 Nëntorit, por sipas kryeministrit, ishte këmbëngulja e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, që bëri të mundur sjelljen e kompanisë italiane ‘ENI’ para vitit të ri.
Sipas shefit të ekzekutivit, blloku i Dumresë ka pritshmëri të mëdha për sa i përket naftës. Ndërkohë, përveç vlerës së madhe monetare që do të sjellë bashkëpunimi, ‘ENI’ do të sjellë edhe vlerën e dijes në Shqipëri.
“Sipas studimeve blloku i Dumresë ka një rezervë të pritshme të konsiderueshme ashtu sikurse zbulimi i bërë në Shpirag është një nxitje më shumë për të vijuar me eksplorimet. Më vjen shumë mirë të theksoj se bëhet fjalë për një tjetër investim të rëndësishëm të huaj në Shqipëri me të ardhura më shumë se PBB i Shqipërisë, i cili vendos një flamur me shumë peshë në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri. Përveç vlerave monetare, sjell në Shqipëri vlerën e madhe të dijes dhe bashkëpunimit. Më vjen shumë mirë që nga ana e kompanisë kemi marrë një përgëzim për shpejtësinë dhe efikasitetin në procesin e punimit dhe firmosjen e kontratës”, tha Rama.
Ministrja Balluku tha se kompania ‘ENI’ do të sjellë në Shqipëri standarde të larta pune. Ndërkohë përfaqësuesi i kompanisë, e konsideroi si nder punën në vendin tonë.
Kompania ‘ENI’ është një kompani ndërkombëtare italiane e gazit dhe naftës. Selinë qendrore e ka në Romë. Ajo konsiderohet si një ndër 7 superfuqitë e kompanive të naftës në botë. ‘ENI’ ka operuar në 79 vende.