Punonjësit e ndërtimit të Bashkisë së Durrësit nën mbikëqyrjen e ekipit ushtarak izraelit kanë nisur rindërtimin e mureve dhe riparimet e nevojshme në një pallat banimi në Durrës. Ekipi izraelit është kujdesuar që suvatimet dhe brezat e mureve të bëhen ashtu siç duhet, në mënyrë që muri të jetë sa më rezistent dhe të japë më shumë siguri.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të qytetarëve mbi nisjen e riparimeve dhe sigurisë së pallatit, koloneli që drejton ekipin ushtarak izraelit, Golan Vach Jane, tha: “Unë mund të vij të banoj me familjen time në këto apartamente. Ne jemi shumë profesional kur bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve. Kur themi që godina është e sigurt, është e sigurt. Kur themi që duhet riparuar, duhet riparuar dhe kur themi që duhet të shembet, duhet të shembet”.

100 punonjës ndërtimi janë punësuar nga Bashkia e Durrësit për një periudhë 3-mujore, që do të shërbejë për riparimin e godinave që nuk kanë dëme në strukturën e tyre.

VERITAS.COM.AL/