Koment/ Sfida e parë ishte e ditës së djeshme, kur vetë presidenti i Republikës, Meta, dhe kryetar real i LSI, tha publikisht se ‘opozita (PD) kishte bërë gati djegien e selisë së Parlamentit’, në 8 dhjetor. Me këtë rast, kryetari i hershëm i LSI e etiketoi PD-në ‘aleate’ si parti që shkakton dhunë mbi institucione.

Sfida e dytë është e sotmja, kur kryetarja aktuale e Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjithashtu bashkëshorte e presidentit Meta, zonja Monika Kryemadhi, në një intervistë për News 24 ka thënë se me ose pa Ramën kryeministër, LSI është e gatshme të shkojë në zgjedhje.

Dihet qëndrimi i prerë i PD se ‘nuk shkojmë në zgjedhje kurrë me Edi Ramën si kryeministër’.

“Ne si LSI nuk kushtëzojmë asnjëherë momentin e zgjedhjeve. Pse e themi nuk kushtëzojmë momentin e zgjedhjeve, sepse ne mendojmë që zgjedhjet janë i vetmi instrument që në një farë mënyre do të çbëjë të gjithë këtë nyje të lidhur keqas, për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, për shkak të mosfunksionimit të sistemit, të demokracisë.

Ne duhet të përplasim, në duhet të luftojmë me bishën, sepse nëse nuk luftojmë me bishën nuk ka kush ta mundë bishën dhe në këtë rast, bisha është kapja e pushtetit nga kryeministri. Pavarësisht ligjëratës politike që ngre kryetari i PD-së dhe kryetari i opozitës që me një qeveri tranzitore dhe pa Ramën kryeministër, për ne si LSI mendojmë që është e domosdoshme përballja në zgjedhje e të gjithë opinionit publik. në votimet e 30 qershorit, shqiptarët i dhanë një përgjigje jashtëzakonisht të madhe jo vetëm mazhorancës ku i thanë se e bojkotuan në 85% po i dhanë edhe një përgjegjësi shumë të madhe opozitës, ku i thanë që 85% e tyre iu përgjigjën aksionit politik të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet moniste të Edi Ramës” u shpreh Kryemadhi .

Veritas.com.al/