“Me veprimet dhe akoma më keq mosveprimet e tyre, situata (e krimit në Elbasan)është përshkallëzuar dhe personat përgjegjës për ngjarjen e rëndë nuk janë arrestuar dhe vendosur para drejtësisë në kohën e duhur” tha zoti Çako në një konferencë për mediat kushtuar ngjarjeve kriminale tashmë të njohura në Elbasan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako bëri me dije se ka firmosur shkarkimin e 12 drejtuesve të policisë lidhur me ngjarjen e 18 shtatorit në Elbasan ku mjeti tip “Audi”, i blinduar, përplasi makinën e policisë gjatë një operacioni.
Gjithashtu, zoti Çako njoftoi komandimin e Altin Qatos në krye të policisë Elbasan.
Gjatë konferencës, Çako u shpreh se forcat policore treguan paaftësi, gjë që solli dështim të operacionit dhe tha se ishte tronditëse. Ngjarja e Elbasanit ishte një cenim i imazhit të Policisë, sipas drejtorit.
“Forcat policore nuk ishin në lartësinë që kërkon detyra. Mosveprimi i tyre solli që të dyshuarit të largohen dhe operacioni të dështonte. Pamjet filmike të operacionit të dështuar ishin gjithashtu tronditëse. Dëshmia që u përcoll në opinionin publik e forcave policore që vëzhgonin të dyshuarit teksa largoheshin madje dhe goditeshin prej tyre pa marrë asnjë kundërpërgjigje ishte shokuese. Fatkeqësisht ngjarja e Elbasanit ishte një cënim për imazhin dhe punën e policisë së shtetit. Pas hetimit të kryer është arritur në konkluzionin se strukturat drejtuese dhe operuese në Drejtorinë vendore të policisë Elbasan janë treguar të paafta për të menaxhuar situatën e krijuar të 18 shtatorit 2017. Me veprimet dhe akoma më keq mosveprimet e tyre, situata është përshkallëzuar dhe personat përgjegjës për ngjarjen e rëndë nuk janë arrestuar dhe vendosur para drejtësisë në kohën e duhur” tha Çako.
Gjithashtu pas ngjarjes së rëndë në Lushnje ku mbetën të vrarë 2 të rinj dhe u plagosën kalimtarë, gjatë një atentati me armë zjarri, priten shkarkime edhe në këtë komisariat.
Të dyshuarit si autor të ngjarjes nuk janë kapur ende edhe pse janë të shpallur në kërkim.
Veritas.com.al/