Opinioni gjerman është tronditur orët e fundit nga lajmi i arrestimit i të paktën 25 personave në gjithë Gjermaninë që akuzohen se po organizonin një grusht shteti të mirëfilltë në vendin e cilësuar si lokomotiva e Europës, në një operacion që ka përfshirë rreth 3 mijë anëtarë të policisë gjermane.
Skenari duket më shumë ai i një filmi, sesa e vërteta e “lokomotivës europiane”. Politikanë, gjykatës, eksponentë të forcave speciale gjermane, të gjithë së bashku me objektivin për të përmbysur qeverinë e kryeministrit Olaf Scholz, që dje ndodhej në Tiranë në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, por në përgjithësi edhe rendin demokratik të atij vendi.
Personat e arrestuar sipas burimeve bëjnë pjesë e një grupi të së djathtës ekstreme, ku mes tyre figurojnë edhe ish-ushtarakë, dhe që kishin planifikuar rrethimin dhe pushtimin e Parlamentit federal.
Të dyshuarit, rreth 50 në total, i përkasin lëvizjes Reichsbürger (Shtetasit e Rajkut) dhe një nga figurat e spikatur mendohet se është një aristokrat gjerman, që mendonte të rikthente qeverinë në politikat konservatore, duke mos njohur parlamentarizmin modern.
Mijëra policë ku u përfshinë forcat speciale kanë sekuestruar dokumente dhe armë në më shumë se 137 godina të ndryshme, në gjithë Gjermaninë, nga Berlini e deri në Bavari, por edhe në Perugia të Italisë.
Midis të arrestuarve, politikanë të partisë së djathtë Afd, një shtetas si identifikuar si princi Heinrich XIII, një gjykatëse në Berlin, dhe të tjerë ende të paidentifikuar.
Lajmi u komentua nga ministri i Drejtësisë Marco Buschmann në një postim në Twitter foli për një operacion anti-terrorizëm që planifikonte një “sulm të armatosur kundër institucioneve”, që parashikonte vrasjen e të gjithë atyre që do t’i kundërviheshin.