Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar sekuestrimin e një sipërfaqe toke 54 hektarë, ndodhur në zonën bregdetare të gjirit të Gjipes në Himarë, e dyshuar se është përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar.
Hetimet lidhur me këtë rast nga organi i akuzës kanë nisur në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se shtetasit Theodhori Kocani dhe Jani Kocani, kanë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara një sipërfaqe prone prej 54.1 ha.
Sipas njoftimit të prokurorisë, “Dokumentet mbi bazën e të cilave është përfituar kjo pronë, të cilat kanë rezultuar të falsifikuara janë “Procesverbal i mbajtur nga k/pleqësia e fshatit Dhërmi, më datë 17/05/2001”; “Vertetim pa datë, i lëshuar nga kryeplaku i fshatit Dhërmi”, “Vertetim, datë 18/07/2001, i komisionit të verifikimit të pronave pranë Bashkisë Himarë” dhe “Vendim nr. 25, datë 09/08/2001 i Këshillit të Bashkisë Himarë”.
Në bazë të hetimit të zhvilluar, është provuar se këto dokumente nuk janë lëshuar nga Këshilli i Bashkisë Himarë, si dhe nga Komisioni i Verifikimit të Pronave pranë Bashkisë Himarë. Prona e përfituar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara ndodhet në bregdet, në vendin e quajtur Spile-Gjipe, Dhërmi.
“Provohet se më datën 27/05/2016, shtetasit Theodhori Kocani dhe Jani Kocani, kanë regjistruar sipërfaqen e pronës prej 54.1 ha, pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Pas regjistrimit të kësaj pasurie, janë kryer veprime juridike mbi këtë pasuri, e konkretisht ndarje dhe shitje, me qëllim fshehjen e paligjshme të origjinës së kësaj pasurie”, thuhet në njoftim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e paluajtshme me sipërfaqe 54.1 ha