Një gomone që po drejtohej drejt brigjeve të Garganos pasditen e së enjtes është kapur nga forcat e mbikëqyrjes ajrore të “Fiamme Gialle”, të impenjuara edhe në operacionin “Triton 2017” të agjencisë europiane “Frontex”.

Trafikantët, pasi kishin pikasur njësitë policore hodhën një pjesë të drogës në det dhe më pas e braktisën gomonen në plazh, duke u arratisur duke përfituar nga errësira.

Forcat italiane gjetën në gomone një sasi të konsiderueshme marijuane, ndërsa skafistët arritën t’i identifikonin e t’i kapnin më pas me rroba ende të lagura, të fshehur në një vilë pranë vendit të arratisjes.

Gomonja ishte rreth 9 metra e gjatë, me dy motorë të fuqishëm oqeanikë, e tashmë rezulton e sekuestruar në Portin e Viestes.

Skafistët janë të dy shqiptarë nga Vlora, K.B. 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë. Ata akuzohen tashmë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, e pritet të dalin përpara autoriteteve të drejtësisë.

Marijuana e sekuestruar, një pjesë e së cilës është rikuperuar nga sipërfaqja e ujërave, ishte futur në 55 pako të përmasave të ndryshme, me një peshë totale prej 885 kg, që në rast se do të përfundonte në tregun e zi do të kapte shifrën e 8 milionë eurove.

Veritas.com.al/