Frrok Çupi/

Pse mbërriti në Tiranë, thuajse me urgjencë, komisionari i BE, Johannes Hahn?

Kjo është pyetja e parë…

Pse Johannes Hahn nxori zonjën Vlahutin nga salla e takimit me kryetarin e PD, Basha?

Kjo është pyetja e dytë…

Pse zoti Hahn ndryshoi gjithë agjendën e Bashkimit Europian për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor e sidomos me Shqipërinë?

Kjo është pyetja e tretë…

Për secilën prej çështjeve (ose pyetjeve), komisioneri ka nga një dhuratë, ose ‘karrotë’- siç ka marrë emrin në fjalorin politik mes BE dhe vendeve aspirante për anëtarësim, ku hyn edhe Shqipëria.

E para:

Komsioneri Jahannes Hahn ka mbërritur në Shqipëri jashtë çdo agjende politike të paracaktuar. Nisja e tij nga Brukseli i ngjan një fishekzare që duket se më shumë del nga foleja përmes një vuajtjeje se sa një normaliteti. ‘Shpërthimi’ që ndodhi në zyrat e BE mbi Shqipërinë, është skandali me ministrin Saimir Tahiri, i cili hapi gropë në anijen jo vetëm të  qeverisë së Shqipërisë, por edhe në qarqet e eurokratëve të lidhur me interesa në këtë vend. BE ‘nuk ia fal’ kurrë Italisë që kapi Tahirin, (dhe kapjen e bëri publike) në një bandë kriminale të trafikut të drogës dhe armëve. Por BE i separatuar tashmë mes liberalëve të elitës së vjetër, mes populistëve të djathtë dhe sorosianëve- nuk mund ta ruajë më anijen e saj nga çarje të tilla. Me hapjen e skandalit ‘Tahiri’, efektet ndihen deri në zyrat e BE-së. Me këtë rast mund të rihapen çështje si ajo e mbesës së zonjës Mogherini (ministre e Jashtme e BE-së), e cila u kap në të njëjtat banda kriminale të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Pughlia-s. Ose edhe çështje të tjera të trafikimit të drogës me të cilat kanë lidhje zyrtarë europianë…

Kjo është arsyeja pse Johannes  Hahn u përcoll me urgjencë për Shqipëri. Për mbylljen e skandalit “Tahiri’ ai u shpreh i gatshëm të bënte “çdo dhuratë”.

E dyta:

Disa media u treguan ‘naive’ kur thanë e përshkruan zotin Hahn si një legjendar ‘të ndershëm’ që i tha ambasadores Vllahutin: “Dil jashtë nga zyra!” e kryetarit të PD. Zoti Hahn, në takimin me Bashën, që në fakt kësaj here e kishte takim kryesor në Shqipëri, me largimin e Vllahutin i dha një ‘dhuratë’ zotit Basha. Ai e di se PD nuk ka marrëdhënie të mira me ambasadoren Vllahutin. Duke i kërkuar zonjës “na le pak vetëm për vetëm”,- një skenar i parapërgatitur, zgjidhi dy nyje: E para, i lëshoi brezin Bashës duke i thënë “çështjet i kemi mes nesh, ja ku jemi vetëm për vetëm, nuk ke punë me Vllahutin”. Nga ana tjetër i bëri Bashës ofertën ose ‘karrotën’. Takimi u zhvillua në ora 21.00, e Enjte, 2 orë pa pushim, si të ishte prag lufte… Merret vesh se oferta ishte me shumë peshë, saqë gjatë gjithë ditës, Basha nuk u ndje më; as ishte i qetë. Merret vesh se Bashës së PD i është kërkuar të mos e rrëmojë më çështjen ‘Tahiri’. Në kompensim të kësaj ‘BE do të ketë në vëmendje ardhjen tuaj në pushtet sa më shpejt’, ka thënë Hahn në zyrën e mbyllur të kryetarit të PD. Por sot për sot i ka kërkuar një bashkëpunim ‘në hije’ me qeverinë ‘Rama’. BE e përfaqësuar nga Junker e Hahn po luftojnë që të mbajnë në pushtet elitat e vjetra, që në rastin shqiptar, të vjetra janë si PS edhe PD.

E treta:

Johannes Hahn, si përfaqësues i ‘tronditjeve’ në zemër të BE për shkak të skandalit në Shqipëri, u dërgua në Tiranë me agjendë krejt ndryshe nga deri tani. Zoti Hahn, sapo erdhi thërriti me të madhe se “Shqipërisë do t’i hapen dyert e BE-së!”. Këtë thirrje e bëri sidomos me presidentin e Republikës dhe me kryetarin e opozitës. Kjo është ‘karota’ që këta ta paraqesin në popull dhe të fitojnë kredite në emër të BE (si LSI edhe PD) për të ardhur shpejt në pushtet!… Çudia e madhe e ndryshimit të agjendës së BE mbi anëtarësimin e  Shqipërisë, bashkohet me një fakt shumë të rëndë: Sa më shumë prodhim dhe trafikim drogë drejt vendeve të BE nga Shqipëria, aq më shumë ‘afrohet pranimi i Shqipërisë në BE” (!). Ky është absurdi që lë shijen e bashkëpunimit të një pjese të BE në trafiqe; ndryshe nuk mund të kuptohet. Aleatët perëndimorë, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, janë angazhuar për luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, deri me zbarkimin e agjentëve të FBI, etj., ndërsa Hahn i BE vjen me një dhuratë ‘për krimin e organizuar!’. Përplasja e këtij organizmi, BE, me politikën e SHBA në rajon, me këtë rast, kuptohet qartë… Por edhe mashtrimi me ‘karotën’- pranim në BE, është po kaq i qartë. Vetë presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Junker, para 58 ditësh, më 13 shtator 2017, raportoi para Parlamentit Europian mbi planin për zgjerimin e BE dhe tha fjalë për fjalë kështu: “ “It is clear that there will be no further enlargement during the mandate of this Commission and this Parliament [in 2019]. No candidate is ready yet”. (“Është e qartë se nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm gjatë mandatit të këtij Komisioni dhe të këtij Parlamenti (2019). Asnjë kandidat nuk është gati akoma”).

Si ndryshoi agjenda e BE, pa pyetur Parlament, pa pyetur Komision, pa pyetur BE?! Aq më tepër, urgjenca për ‘karotë’ ndaj Shqipërisë, ku sipas Perëndimit- çështja më e madhe është krimi i organizuar… Zoti Hahn kishte një hall të madh; s’është parë burri kurrë kaq ngushtë…

Veritas.com.al/