Kosova dhe Izraeli do të lidhin marrëdhënien diplomatike në 1 shkurt, sipas Ministrisë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

 Në njoftimin për media thuhet se Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me shtetin e Izraelit. Kjo ishte nje nga pikat e marreveshjes qe u nenshkrua ne Uashington nga kryeministri i Kosoves ne prani te presidentit Donald Trump.

Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm. Ditën e hënë, më 1 shkurt, me një ceremoni solemne virtuale, do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit”, thuhet më tej.

Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Njohja nga Izraeli është arritur me nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike me Serbinë në Washington, më 4 shtator 2020.

“Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, është shprehur Haradinaj.

Më herët kryeministri i Kosovës Hoti ka treguar se pas njohjes së Kosovës nga Izraeli ka pasur edhe një bisedë telefonike me kryeministrin Netanyahu ku njoftoi se “shpejt do të kemi ambasadën në shtetin e Izraelit”.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka folur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe ka thënë se “Kosova ka rënë dakord të hapë ambasadën në Izrael, konkretisht në Jerusalem”.

Sipas tij, Kosova është bërë vendi i parë me shumicë myslimane që do të ketë ambasadën në këtë vend.

Kujtojmë se më 4 shtator, në prezencë të presidentit Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nënshkruan një sërë dokumentesh të ndara për normalizimin ekonomik.

At përfshihen një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët po ashtu janë pajtuar që SHBA-ja të kryejë studim fizibiliteti në Liqenin e Ujmanit me “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.

VERITAS.COM.AL