Pas 19 orësh diskutime, Lindita Nikolla thirri deputetët për votim.

Ishte ora 5:00 e mëngjesit dhe në seancë ndodheshin 95 deputetë, nga të cilët 72 të Partisë Socialiste. Mungonte kryeministri Rama.

Me 71 vota pro u miratua ligji i debatueshëm i cili detyron studentët e mjekësisë të punojnë për disa vite në Shqipëri, përpara se t’u jepet diploma të cilën mund ta përdorin edhe jashtë vendit. Një masë kjo e qeverisë për të frenuar largimin e mjekëve drejt Europës, kryesisht Gjermanisë.

Ligji tjetër që shkaktoi debate, ai për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, nuk mori dot votat e gjysmës së parlamentit.

Megjithatë, ai u miratua me vetëm 69 vota pro. 3 deptuetë nga Partia Socialiste, Erjon Brace, Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj abstenuan, duke e zbritur mbështetjen e këtij ligji nën shumicën ideale të 71 votave.

Por meqë një ligj i tillë miratohet me shumicë të thjeshtë të të pranishmëve në sallë, 69 votat ishin të mjaftueshme për ta miratuar. Po kaq vota mori edhe një ndryshim ligjor për Akademinë e Shkencave që i lejon Skënder Gjinushit një mandat të dytë në krye të institucionit, duke i hequr kufizimin e moshës 75 vjeç si pengesë.

Kuvendi i zgjati po ashtu mandatin edhe komisionit të reformës zgjedhore, edhe pse në 6 muajt e fundit ai nuk u mblodh kurrë. Grupi zyrtar demokrat e kundërshtoi këtë zgjatje, duke reflektuar kundërshtinë e Bardhit dhe grupit të Berishës, që Enkelejd Alibeaj të jetë bashkëkryetar i këtij komisioni që në shtator mund të riaktivizohet./