Në prag të Vitit të Ri 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, uroi qytetarët dhe punonjësit e policisë, duke vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e treguar gjatë vitit që po lëmë pas.

Në mesazhin e tij, Proda theksoi sfidat dhe përgjegjësitë e mëdha të vitit 2025, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të policisë për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për familjarët e Dëshmorëve të Policisë, qytetarët, mediat dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe besimin.

Ai përfundoi urimin me dëshirën për shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë, duke theksuar se vetëm me përgjegjësi dhe besim mund të ndërtohet një vend më i sigurt në vitin 2026.

Mesazhi  i Ilir Prodës:

Në prag të ndërrimit të viteve, shpreh mirënjohjen time të thellë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e treguar çdo ditë, duke vënë shpesh në plan të dytë familjen dhe sigurinë e tyre.

Viti që po lëmë pas nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë sfidues, një vit përgjegjësish të mëdha dhe sakrificash, të cilat na kanë lidhur më fort me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe me partnerët, na kanë forcuar dhe na kanë bërë më të qartë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë, për të qenë të denjë për misionin tonë.

Me përzemërsi të thellë uroj familjarët e Dëshmorëve të Policisë, të cilët kanë në tryezë një pjesëtar më pak, por në historinë e kombit, një hero më shumë.

Një falënderim dhe urim të sinqertë për qytetarët, për rolin e tyre të rëndësishëm, të cilët, nëpërmjet besimit dhe bashkëpunimit, kanë përforcuar pozitën e tyre si aleati ynë kryesor; për gazetarët dhe mediat, për rolin e tyre të rëndësishëm në informimin e publikut dhe forcimin e transparencës; si dhe për partnerët tanë kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi me të cilët ka qenë sinergji kapacitetesh, investimesh, angazhimi dhe profesionalizmi, në funksion të garantimit të sigurisë.

Policia e Shtetit është në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit, për të garantuar një ndërrim vitesh të sigurt dhe të qetë.

Gëzuar Vitin e Ri! Shëndet, paqe dhe mbarësi! Bashkë, me përgjegjësi dhe besim, për të ndërtuar përgjatë vitit 2026, një vend edhe më të sigurt!

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *