Tri orë seancë i janë dashur gjyqtares Rexhina Merlikës t’i qëndrojë masës së caktuar nga Prokuroria ‘arrest me burg’ për Arlind Gjukutajn, Alban Rulin e Fatmir Hoxhën.  Gjykata penale ka vendosur të vijojë masën e sigurisë të lënë më herët nga prokuroria deri në përfundim të hetimeve.

Para se t’u konfirmohej masa e sigurisë, gazetarja e Report Tv, Keti Banushi raportoi se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj nuk u paraqit në seancë. Prej dy ditësh Gjokutaj është shtuar në spital te ‘Kardiokirurgjia’ për shkak të problemeve të tij me zemrën. Seanca u bë pa praninë e Gjokutajt dhe u përfaqësua nga avokatët e tij.

Pavarësisht pretendimeve të avokatëve dhe të pandehurit, Fatmir Hoxhaj ka folur vetë në seancë duke pretenduar se është vendim i gjykatës i vitit 2021 që është zbatuar nga ana e Ministrisë së Financave. Pra sipas tij kanë zbatuar vendimin e gjykatës, nuk kanë bërë asnjë shkelje. Përreth 2 orë Fatmir Hoxha ka folur vetë në gjykatë duke thënë të gjithë procedurat që janë ndjekur nga Ministria e Financave. Të njëjtin pretendim patën edhe avokatët e Arlind Gjokutaj që thanë se nuk ka prova për fajësinë e tij dhe nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Sipas tyre është një vendim gjykate që është ekzekutuar, pra marrëdhënie civilo-juridike sipas tyre. Avokatët e kanë paraqitur këtë vendim gjykate para trupit gjykues. Është vendim i dhënë nga Dritan Caka në Gjykatën Penale të Tiranës. Kjo nuk ka ndikuar që gjykata të ndryshojë masën e sigurisë të “arrestit me burg” derisa të sqarohet situata.

Pas konfirmimit të masës së sigurisë nga Gjykata, dy avokatët e Gjokutajt, Genc Gjokutaj dhe Sokol Hazizi kanë shmangur komunikimin me median. Arlind Gjokutaj, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave është arrestuar pak ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ai ka shfaqur probleme shëndetësore rreth dy ditë më parë.

Së bashku me Gjokutajn, në pranga kanë rënë edhe  përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave’, Fatmir Hoxhaj. Ata firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 mln euro Ilir Thanës, duke e trajtuar si ish-pronar, por që nuk e kishte një status të tillë. Nga kjo shumë, Ilir Thana mori vetëm 400 mijë €, teksa pjesa tjetër e parave Ilir Thanës do t’i kalonte në muajt në vijim, por skema e mashtrimit u pikas. .