Timothy Less, ish-diplomat britanik në Bosnje e Hercegovinë dhe profesor në Qendrën për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridgeit tha se Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja përfundimisht do t’i bashkoheshin nismës “Ballkani i Hapur”, por se mungesa e anëtarësimit në BE, sipas tij, do t’i jepte Shqipërisë dhe Serbisë një dorë të fortë për të folur mbi ndryshimin e kufijve dhe se në atë mënyrë do të zgjidheshin problemet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk do të ketë përparim, të paktën në një afat të shkurtër, sepse evropianët refuzojnë të flasin për çështje reale, për kufijtë dhe territorin. Serbia nuk ka asnjë nxitje reale për të hequr dorë nga Kosova pa perspektivën e marrjes së Republikës Srpskas dhe nuk do ta bëjë këtë. Kosova nuk ka nxitje për të bërë lëshime. Sidoqoftë, unë nuk shoh që kjo situatë të zgjasë pafundësisht sepse mjedisi ndërkombëtar po ndryshon që përfundimisht do të ofrojnë një zgjidhje. Si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja janë në një gjendje krize që ka të ngjarë të përkeqësohet në të ardhmen e afërt, duke u dhënë aktorëve në Ballkan më shumë hapësirë për manovrim”, thotë Less në një intervistë për “Kosovo Online”.
Në mungesën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Serbisë në BE, ish-diplomati britanik e sheh zgjidhjen e problemeve në Ballkan.
“Serbët e Bosnjës do t’i përgjigjen gjithnjë e më pak kërcënimeve duke këmbëngulur për pavarësi, ndërsa shqiptarët e Kosovës do t’i përgjigjen dobësimit të garancisë së sigurisë duke iu afruar Shqipërisë. Dhe në mungesë të anëtarësimit në BE, Serbia dhe Shqipëria do t’i kenë duart më të lira për ta menaxhuar procesin e rishikimit të kufijve. Kështu do të zgjidhet çështja e Kosovës”, thotë ai.
Ai tha se nga 4 shtatori pret që Kosova dhe Serbia ta nisin fushatën e njohje-çnjohjeve.
“Po, e pres këtë. Në mungesë të një marrëveshjeje të dakorduar, Kosova dhe Serbia do të përpiqen të ndryshojnë realitetin politik duke njohur ose mohuar njohjen”, tha ai.
“Shtetet e Bashkuara do t’i rezistojnë kësaj për shkak të neverisë së saj për t’i dhënë Rusisë dhe Kinës ndonjë ndikim formal në proces. Kështu do të veprojnë edhe evropianët që duan ta mbajnë kontrollin mbi procesin e ndërmjetësimit. Interesi i tyre do të jetë që ta mbajnë Lajçakun aty dhe ta vazhdojnë dialogun, sado e pakapshme të jetë zgjidhja. Gjërat e tilla kanë një precedent – Matthew Nimetz punoi mbi emrin e Maqedonisë për njëzet vjet”, tha Timothy Less.