Protesta e opozitës paraditen e së shtunës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të angazhojë një numër të lartë punonjësish policie, të cilët pritet të sigurojnë mbarëvajtjen e tubimit.
Ndonëse opozita ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të shmangur incidentet apo situatat e dhunës. Rreth 2 mijë efektivë nga 6 komisariatet e kryeqytetit do të jenë në terren ndërkohë që në gatishmëri do të kalojnë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti RENEA.
Kordonët me police femra siç jemi mësuar të shikojnë në protesta të ngjashme, nuk pritet të mungojnë as paraditen e së shtunës.
Në terren dhe mes protestuesve nuk do të mungojnë as agjentët civilë ndërkohë që edhe qarkullimi rrugor ka marrë masa për shmangien e trafikut në pikat hyrëse si pasojë e mjeteve që do pritet të vijnë nga rrethet. Por policia ka marrë masa edhe për sigurimin e paradës së komunitetit LGBT , të cilët do të zhvillojnë tubimin e tyre 2 orë para protestës së opozitës dhe në një intenerar tjetër, duke shmangur kalimin para çadrës para kryeministrisë.
Në një takim që pati të enjten me shefat e rinj të komisariateve të kryeqytetit drejtori i ri i policisë së Tiranës, Ardi Veliu u ka kërkuar atyre ti lihet porosi e veçantë të gjithë punonjësve të policisë që të tregohen të kujdesshëm dhe ‘të mos bien pre’ e situatave apo provokimeve të mundshme nga protestuesit.
Policia mendon se vetëm protestuesit mund të ‘provokojnë’ ndërsa përballë janë ‘engjëjt’.
/Veritas.com.al/