Mësohet se në seancën e nesërme plenare të Kuvendit që do të mblidhet në ora 10.00, do të betohen deputetët e rinj të opozitës që mbushin vakumin e deputetëve pas dorëheqjes së tyre nga misioni i deputetit.
Deputetët e rinj, të quajtur edhe ‘të listës’ do të pajisen që sot me mandatin e deputetit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kuvendi i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të garantojë sigurinë fizike të deputetëve gjatë seancës së nesërme, kur është paralajmëruar një protestë e opozitës përballë selisë së Kuvendit. Protestat e deritanishme të opozitës kanë degjeneruar në dhunë; kërkesa e Kuvendit kundër dhunës vjen në prag të seancës plenare.
Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike të zhvillojë protestë e para parlamentit. Sipas dokumentit të firmosur nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj, thuhet se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve dhe vë në rrezik jetën e deputetëve e ministrave. Po kështu sipas policisë, protesta cenon sigurinë kombëtare.
PD akuzon policinë se po shkel Kushtetutën dhe se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë. PD deklaron se protesta do të zhvillohet edhe pa leje nga policia.
Veritas.com.al/