Nga: Entela Kasi, shkrimtare/

Nesër dua të shkoj në Kukës, për të qenë pranë qytetarëve dhe banorëve të atij vendi që në kohën e luftës së Kosovës hapi dyert e mbajti tej çdo mundësie shqiptarët e Kosovës.

Nesër dua të shkoj në Kukës, qytetin e nominuar për çmimin prestigjioz Nobel për paqe, të cilit prej ditësh i kanë tronditur paqen këtë parim e vlerë të njerëzimit.

Nesër dua të shkoj në Kukës, bash atje ku si në asnjë vend të Evropës lindore shteti diktatorial ekzekutoi me varje në litar poetin Havzi Nela pasi e akuzoi edhe për terrorizëm!

Nesër dua të shkoj në Kukës, për të takuar miqtë e mi pa dallim bindjesh politike e ata si gjithmonë bujarë e plot dinjitet do të më presin për kafe diku tek American Corner apo kudo qoftë në qytet.

Nesër dua të shkoj në Kukës për t’i thënë të gjithëve atyre që kanë veshë – Mos luani me një popull të cilit i keni ngulur thikën në asht në diktaturë e po ashtu në tranzicion, e jo vetëm, pabesisht e pa drejtësisht!

E nëse nesër do të arrij në Kukës atje miqtë e mi vendasit, do të më japin kopjen e vetme të romanit ‘ Të Korrat e Krishtlindjeve’, sepse pikërisht atje ka mbetur si mur gjaku monumenti i lirisë që nuk u ndërtua dot kurrë në këtë Shqipërinë e marrë peng nga politikanët që kurrë nuk vepruan dot si burra shteti!

Nëse nesër nuk do të jem dot në Kukës, atëherë do kemi mbetur rrugëve të kombit duke u endur në askund, por në skllavëri të plotë!

 

*Entela Kasi, Shkrimtare
Presidente e Albanian PEN Centre,
Qendra PEN e Shqipërisë
Qendër e PEN International në Tiranë