Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka folur në ‘Studio Live’ në Report Tv lidhur me deklaratën e Spartak Brahos se në protestën e ditës së nesërme do të vritet një deputet me inicialet E.A. Çollaku tha se nëse ka situata të tilla kjo nuk është më një çështje që i takon PD-së, por është një ngjarje kriminale dhe duhet të trajtohet si e tillë nga autoritetet përgjegjëse.

Çollaku i bëri thirrje Brahos se nëse ka informacione për skenarë të tillë t’i transmetojë ato tek autoritetet.

“Nuk e imagjinoj që mund të ketë situata të tilla, këto nuk zgjidhen nga politika, por janë situata kriminale, nëse ka situata të tilla, atëherë kjo nuk është më çështje e PD, por të trajtohet si një ngjarje kriminale, është shumë e rëndë. Do kaloj mes njerëzve, demokratët nuk vrasin demokratët. Jam i turpëruar që kësaj partie i ndodh kjo histori, selia mund të hidhet në erë dhe me tritol, Braho të jap informacion nëse ka. Jam i pafjalë dhe i turpëruar nga kjo që po ndodh”, tha Çollaku