Në vend që të kishte mbërritur sot, e shtunë, rreth orës 17.00 në Durrës, trageti i pasagjerëve i linjës Ankona- Durrës mund të mbërrijë të dielën rreth orës 08.00. Trageti ka pësuar një defekt sapo ka nisur udhëtimin në ujërat Italiane.

Udhëtimi i 820 pasagjerëve që po lundrojnë drejt Durrësit me tragetin “Bridge” të linjës Ankona-Durrës pritet të zgjasë jashtë çdo parashikimi

Ata duhej të mbërrinin në port të shtunën rreth orës 17:00, por për shkak të një defekti në motor pritet të ankorohet rreth orës 08:00 të së dielës.

Sipas kapitenit të portit të Durrësit, për shkak të defektit trageti po lundron vetëm me një nga dy motorët, me një shpejtësi të reduktuar 9 milje në orë.

Në traget ka dhe shumë familje emigrantesh që kthehen në atdhe për pushimet e verës. Temperaturat e larta dhe orët e gjata të qëndrimit në det të hapur mësohet se kanë shkaktuar irritim dhe panik te një pjesë e udhëtarëve.

Kompania “Adria Ferries”, së cilës i përket trageti, në një njoftim për shtyp sqaron se të gjithë udhëtarëve në bord po u ofrohet asistencë, ushqim dhe pije.

Kompania ka anuluar përkohësisht nisjet nga Durrësi drejt Ankonës të shtunën dhe nga Ankona drejt Durrësit të dielën.

Veritas.com.al/