Frrok Çupi

A na duket vetja ‘të gjithë të bërë pis’?, apo këta po na detyrojnë të mitizojmë doktorin që u kap në vjedhje dhe ta ndjejmë veten ‘të gjithë njësoj’?… Prej ditësh ka plasur kjo luftë, tashmë jo me vjedhjen e njërit, por me në ‘të gjithë’.

Doktori po bënte punën e vet, në fakt, atë që bëjnë shumë vjedhës, por sa hap e mbyll sytë çau flluskën e pisllëkut të shoqërisë. Sa shumë njerëz po dalin në dritë, prej asaj flluske;  që aty kërkojnë doktorin, e lavdërojnë, ia veshin krimin, ia lakmojnë zotësinë. Gazetarë, juristë, politikanë, udhëheqës, aktivistë dhe gjynahqarë…, të gjithë po thonë se ‘mirë e bëri doktori, i lumtë’.

Sjellja e doktorit:

Sa ka thënë hetimi deri më sot, dhe sa ka marrë vesh bota mbarë, ‘doktor i mirë’ është, por nuk e prekte pacientin nëse i sëmuri nuk i paguante 2 mijë euro, të paktën. Kishte ngritur skuadrën, rrugën e parave, listën e pacientëve; makina i punonte deri në detaje. Skema u zbulua për shkak të një lidhjeje me një skemë tjetër kriminale në Drejtësi. Nesër lidhja mund të shtrihet deri në arat me misër, ose në parcelat e kanabisit, ose në thertoret e qytetit, ose në universitet. Me siguri zgjatimi i parë do të jetë në fushatën e zgjedhjeve politike që priten.

Më duket se të gjithë po bluhemi së bashku në flluskën e veseve. Kush ka shpëtuar nga pisllëku nuk mund të shpëtojë nga ata që e mbrojnë. O do të bëhen të gjithë si vjedhësi, o nuk ka rrugë!. Kjo është çështja.

Pse duhet të bëhemi ‘të gjithë vjedhës’?

Politika e korruptuar mbron veten me çdo mjet. Deri tani një president, një kryetar partie, një deputet, një mjek, një ministër…, na kanë bërë thirrje t’i bashkohemi doktorit. Vetë doktori ka thënë se është pjesë në politikë…

A mund të bëhemi të gjithë vjedhës? Me shpresë të zotit, jo. Po a na projektojnë  kështu? Deri më sot na kanë projektuar si ‘gjithë populli ushtar’, ‘të gjithë fajtorë e të gjithë bashkëvuajtës’, ‘të gjithë të barabartë’…. Shpëlarja e turit edhe me rastin e ‘doktorit të mirë’, ka për qëllim që të na bëjnë njësoj. Në një turmë ‘të njësojtë’ mund të fshihen vjedhësit e tre dekadave: vjedhësit e floririt, të piramidave financiare, të tokave, të vilave, të hapësirave… Ja, për këtë na duan të gjithëve ‘bashkë’ me ta.

Vallë, bota tjetër si u mbrojt nga damka ‘të gjithë vjedhës’?

Kjo nisi shpejt, fillimisht me vjedhësit e kuajve. Nuk mund të vinin deri te floriri nëse nuk kishin vjedhur kuaj, ose të paktën lopën e fshatit. Për herë të parë që u mbyllën kufijtë në New England para luftës civile, në vitet 1700 e ca, kufijtë u mbyllën për të ndaluar vjedhësit e kuajve që vinin nga shteti tjetër. Pastaj, për herë të parë që krijuan një parti të pëlqyeshme dhe që jetoi deri në shekujt e vonë, krijuan ‘partinë ndjekëse’ të vjedhësve. Derisa vjedhësit e kuajve u fuqizuan dhe krijuan banda. Por aty edhe ra miti i vjedhësve. Vjedhësit ranë sepse u veçuan prej ‘të gjithëve’, edhe pse të fuqizuar.

Ndërsa këta tanët po na shtyjnë prapa, deri përtej viteve njëmijë e shtatëqind. Duan të na bëjnë ta shikojmë veten ‘të gjithë vjedhës të kuajve’ dhe ata të fshihen sikur janë ‘të gjithë’. Ne pra do të jemi ata.

VERITAS.COM.AL