Çdo qytetar mbi 18-vjeç do të ketë mundësinë që të marrë dozën e tretë të vaksinës anti COVID duke filluar që nga dita e sotme. Kjo me kushtin që të kenë kaluar 6 muaj nga bërja e dozës së dytë. Lajmi është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë, e cila më parë kishte njoftuar një mbledhje sot të Komitetit të Ekspertëve.
Menjëherë pas këtij lajmi ka qenë zyra e Qeverisë e cila ka bërë me dije se Kryeministri Rama do ta marrë dozën e tretë të vaksinës rreth orës 11:30.
Kujtojmë se duke nisur nga 1 Nentori, të moshuarit +60 vjeç filluan të marrin dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, ndërsa fëmijët 12-17 vjeç, të shoqëruar nga prindërit, mund ta bëjnë vaksinën. Drejtoresha e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino ka sqaruar se cilët fëmijë do të vaksinohen të parët, sa doza do marrin dhe se cilën vaksinë duhet të bëjnë. Komiteti Teknik i Eksperteve, në mbledhjen e 22 tetorit rekomandoi aplikimin e dozës së tretë të vaksinës dhe vaksinimi i fëmijëve.
Më parë nga specialistët e ISHP është bërë e ditur se doza plotësuese mund të merret edhe duke kombinuar vaksinat. Psh. nëse ke marrë Pfizer më parë mund të marrësh Coronavac apo AstraZeneca në bazë dhe të efekteve anësore që ka pasur qytetari. Megjithatë i vetmi kombinim vaksinash që nuk lejohet, dhe mjekët janë trajnuar për këtë gjë, është ai mes vaksinës AstraZenca dhe asaj rusë Sputnik V.
Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet ditën e sotme për të bërë një analizë të situatës së COVID në vend, mbledhje që vjen pas më shumë se një muaji mungesë. Komiteti i Ekspertëve do të mblidhet në orën 14:00, në një kohë kur varianti Omicron i COVID po alarmon Europën dhe botën, duke u përhapur me shpejtësi në gjithnjë e më shumë vende. Nuk dihet ende nëse do të ketë shtrëngim të masave kufizuese.