Një ngjarje makabër është regjistruar në Fier, ku një 38-vjeçar ka rrëmbyer fëmijën e fqinjit mesditën e sotme, e ka vrarë dhe e ka groposur në shtëpinë e tij.

Sipas informacionit të dhënë nga policia mësohet se pas kontrollit të ushtruar në banesën e 38-vjeçarit Klodian Calamani, është gjetur trupi i pajetë i fëmijës 8 vjeçar .

Fëmija është denoncuar i zhdukur rreth orës 15:30, e ndërsa trupi i pajetë është gjetur vetëm pak orë më vonë, i mbuluar me baltë.

Ndërkaq, policia ka arrestuar autorin e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa ka nisur puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.


Njoftimi i plotë i policisë:

Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.

Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.