Vrasja e një gruaje në Minneapolis nga agjentë të emigracionit dhe doganave, ka tronditur Shtetet e Bashkuara.
Pamjet e rënda që po shikoni, janë momenti kur një nga oficerët, qëllon për vdekje brenda makinës së saj Renee Nicole Good, 37 vjeçe.
Disa agjentë fillimisht iu afruan automjetit të Good, kapin dorezën e derës dhe i kërkojnë asaj të dalë jashtë makinës.
Por Good nuk ndaloi dhe vijoi të lëvizte automjetin, derisa një oficer i doli para dhe e qëlloi dy herë. Makina u përplas me dy mjete të tjera, para se të ndalej përfundimisht në një shtyllë elektrike.
Ngjarja e rëndë ka thelluar debatin e hershëm mbi agjencinë e emigracionit dhe doganave, teksa agjentët janë vendosur në disa qytete amerikane në ndjekje të emigrantëve të paligjshëm dhe incidentet nuk kanë qenë të pakta.
Presidenti Donald Trump pretendoi në një postim në Truth Social se gruaja bëri rezistencë dhe më qëllim e dhunshëm, tentoi të përplaste oficerët me makinë. Sipas Trump agjentët vepruan në vetëmbrojtje dhe fajin për incidentin e ka e majta radikale.
6
Por autoritetet në Minneapolis, Minnesota kanë tjetër qëndrim, bazuar edhe në pamjet e qarta të vrasjes.
Kryebashkiaku i qytetit Jacob Frey tha se administrata po përpiqet ta shesë ngjarjen si vetëmbrojtje, por nuk ishte e tillë. Ai i kërkoi agjencisë së emigracionit dhe doganave të largohet nga Minneapolis.
“Ata tashmë po përpiqen ta paraqesin këtë si një veprim vetëmbrojtjeje. Duke parë videon, dua t’ua them të gjithëve drejtpërdrejt. Këto janë budallallëqe. Ka pak gjëra që mund të them përsëri që do ta përmirësojnë këtë situatë, por kam një mesazh për komunitetin tonë, për qytetin tonë. Dhe kam një mesazh për agjentët e emigracionit: largohuni nga Minneapolis”
Edhe guvernatori i Minnesota, Tim Ëalz, I cili ka qenë në shënjestër të Donald Trump javët e fundit, i bëri thirrje qytetarëve të mos i besojnë propagandës së administratës. Ëalz u kërkoi qytetarëve të protestojnë në mënyrë paqësore, në mënyrë që të mos i japin autoriteteve federale pikërisht atë që kërkojnë.
Por sekretarja e sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, vazhdoi retorikën se të shtënat ishin për vetëmbrojtje dhe madje i cilësoi veprimet e gruas si një akt terrorizmi.
“Agjentët e urdhëruan vazhdimisht të dilte nga makina, por ajo refuzoi. Më pas ajo vazhdoi ta lëvizte automjetin e saj dhe u përpoq të shtypte një oficer të zbatimit të ligjit. Kjo duket si një përpjekje për të vrarë ose për të dëmtuar, një akt terrorizmi i brendshëm”
Noem konfirmoi se agjentët e emigracionit dhe doganave do të mbeten në qytet, ku prej disa javësh kanë përndjekur kryesisht komunitetin e emigrantëve somalezë. Gruaja e vrarë nuk ishte emigrante, ndërsa policia e Minneapolis ka thënë se ajo nuk ishte në shënjestër të autoriteteve./
Komente