Kryetarit të Shoqatës së Futbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Vico Zheljkoviç, i është mohuar viza e udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të lidhjeve familjare me anëtarin serb të Presidencës së BeH-së, Millorad Dodik, mëson “Radiosarajeva”.
Ekipi kombëtar i BeH-së do të luajë ndeshje futbolli kundër ShBA-së më 18 dhjetor në Los Angeles, por kryetari i NSBeH nuk do të jetë në gjendje të participojë në tribunat e kësaj përballjeje sportive.
Vico Zheljkoviç është nipi i Millorad Dodik, dhe kryetari i kësaj Shoqate, dhe për arsye të lidhjeve familjare i është mohuar udhëtimi për në ShBA.
Kjo për arsye se Millorad Dodik është nën sanksione amerikane që nga viti 2017.
Emri i Dodikut është i listuar në uebsajtin zyrtar të Zyrës për Kontroll të Aseteve të Huaja (OFAC) në pjesën ku Shtetet e Bashkuara listojnë sanksionet e imponuara.
OFAC lëshon listën e personave dhe organizatave që përbëjnë kërcënim dhe janë të ndaluar për të hyrë ose bërë biznes brenda territorit amerikan.
Sanksionet përfshinë ndalesën për të udhëtuar në ShBA, ngrirjen e pronës brenda ShBA-së, si dhe ngrirjen e pronave në të gjitha vendet të cilat i bashkohen sanksioneve amerikane.