Kuvendi mblidhet sot në seancën plenare të radhës dhe të fundit përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Seanca pritet të nis në ora 10:00′.

Në seancën e sotme pritet ndër të tjera miratimi i dy projektligjeve dhe disa projektvendimeve. Fillimisht gjatë seancës plenare do të diskutohet dhe miratohet projektligji që i hap rrugën krijimit të Bankës së Zhvillimit në vendin tonë. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit të nismës ligjore në Komisionet Parlamentare u është shprehur se “Banka e Zhvillimit vjen si një model që funksionon në Bashkimin Evropian, me synim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit”.

Sipas saj, ky instrument i ri do të rrisë kreditimin, përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nën-financuar të ekonomisë, kryesisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe startup-et, si dhe mbështetjes së projekteve zhvillimore, që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.

Së dyti, Kuvendi pritet të miratoi ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në ligjin për “Rininë”. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, gjatë prezantimit të ndryshimeve ligjore në komisionet parlamentare tha se ky hap ligjor synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregulloret evropiane, duke krijuar një kornizë më të qartë për politikat rinore dhe duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin profesional të të rinjve.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *