Presidenti i Republikës, Ilir Meta, të mërkurën e 26 janarit, i është drejtuar me anë të një shkrese Kolegjit të Posaçëm të Apelit. Në këtë shkresë Presidenti ka kërkuar të nisë procedimi disiplinor për anëtaren e gjykatës Kushtetuese, Fjona Papajorgji.
Papajorgji, akuzohet nga Presidenti për shkelje të rënda profesionale dhe etike që cenojnë figurën e gjyqtarit kushtetues.
“Parashikimet e këtyre dispozitave në krahasim me rrethanat e faktit, provat e marra sipas formës së kërkuara nga ligji dhe me të cilat Presidenti i Republikës është njohur zyrtarisht së fundmi nga Gjykata Kushtetuese, e që kanë lidhje me një çështje të shqyrtuar së fundmi nga kjo gjykatë, na detyrojnë që t’ju përcjellim këtë informacion të shoqëruar me prova bindëse të cilat konfirmojnë se, ka të dhëna mëse të mjaftueshme se nga një apo disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit, veprimtari kjo në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8577/2000, e që sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës dhe nenin 10, 10/a të ligjit nr. 8577/2000, kërkojnë që nga ana juaj të merren masa për fillimin menjëherë të procedimit disiplinor”.
Gjithashtu, Meta i referohet edhe vendimit për zgjedhjet e 30 qershorit, ku gjykatësja vendosi të rrëzojë kërkesën e Shoqatës së Bashkive, për shpalljen e tyre si antikushtetuese. Ai e ka akuzuar Papajorgjin për “shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit”.
Kreu i shtetit, pa përmendur emra, ka theksuar në shkresën e tij se pjesë e shkeljeve të rënda mund të jenë edhe gjykatës të tjerë.
“Përsa rezulton në dosje ekziston dyshimi ynë se në këtë veprimtari në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8577/2000, mund të jenë përfshirë edhe disa anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese”.
Çështja e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 30 qershorit 2019, sipas Presidentit Meta, ishte një nga çështjet më të rëndësishme të karakterit kushtetues dhe me interes të lartë publik.
Kjo, sepse lidhet drejtpërdrejtë me përmbushjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për një qeverisje vendore transparente, të pavarur e njëkohësisht objektive.
Presidenti shkruan se qytetarëve shqiptarë ju mohua e drejta për t`u shqyrtuar themeli i kësaj çështjeje, duke bërë që Gjykata Kushtetuese të mos përmbushte “misionin e saj sublim”, por la pa asnjë zgjidhje situatën, përkundër kërkesave të interesit më të lartë të vendit.
Meta thekson më tej se në këtë proces janë shkelur jo vetëm të drejtat e kërkuesit, apo palëve të tjera të interesuara, por dhe të drejtat themelore të qytetarëve të vendit, nga mënyra e veprimit jo profesionale e një apo disa gjyqtari/rëve kushtetues.