Vlora është tronditur në orët e para të mëngjesit, ku dy shpërthime tritoli kanë pasuar njëra- tjetrën.

Ngjarja e parë është shënuar në lagjen “Lirim”, përballë Drejtorisë së Policisë vendore.

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në katin e 5-të të një pallati, në sheshpushimin përpara banesës së shtetasit Fatjon Bata 30 vjeç, i dyshuar edhe si objektiv i sulmit me tritol.

“Më datë 02.05.2018, rreth orës 02:30, në lagjen “Lirim”, pranë derës së banesës së shtetasit F.B., 30 vjeç, është vendosur lëndë eksplozive, tritol. Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, vetëm dëme materiale” informoi policia.

30 vjeçari jetonte në këtë apartament prej dy vitesh së bashku me nënën. Si pasojë e tronditjes nga shpërthimi, e moshuara Nadire Bata, është trasportuar në spitalin rajonal të Vlorës.

Fatjon Bata rezulton i paskeduar më parë nga policia, teksa fqinjët tregojnë se shpërthimi ka qenë shumë i fortë.

Dëshmitë/ Fqinji:

U zgjuam, kur hymë pamë derën në tokë dhe xhami i banjos ishte thyer. Atë gruan,  nga trauma e morën në ambulancë. Djali i saj është shoqëruar. Shpërthimi ishte i fortë, unë isha në rroba dhe u ngrita përpjetë.

Në harkun kohor të 45 minutave, qyteti u trondit nga një shpërthim i dytë. Ngjarja ndodhi në lagjen “15 tetori”, pranë Bashkisë së qytetit bregdetar.

Sasia e lëndës shpërthyese është hedhur në oborrin e banesës së shtetasit G.Ç nga Vlora.

“Më datë 02.05.2018, rreth orës 03:30, në lagjen “15 Tetori”, pranë portës së banesës së shtetasit G.Ç., 69 vjeç, është vendosur lëndë eksplozive, tritol.Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, vetëm dëme materiale” sqaron policia.

Kamerat e sigurisë kanë kapur sekuencën e dy personave teksa hidhnin lëndën shpërthyese nga jashtë murit rrethues.

Aktualisht Policia e Vlorës është duke punuar për të zbardhur dinamikën e secilës ngjarje.

Veritas.com.al/