Para largimit për në Vatikan, ku do të kryesojë delegacionin në ceremoninë e Shenjtërimit të Nënë Terezës më 4 shtator, presidenti Bujar Nishani pohon se “kjo shenjtore është dhurata më e vyer që Shqipëria i fali njerëzimit”.
Sipas tij, Shqipëria dhe shqiptarët kanë një arsye të fortë për t’u mburrur sot. “Shqipëria dhe shqiptarët mund të mburren sa të duan për faktin se njerëzimit nuk i dhanë shenjtore të shquar në ndonjë aspekt të veçantë sado të rëndësishëm, por një shenjtore gjithëpërfshirëse, një shenjtore- Nënë”, tha Nishani.
Zoti President, si e portretizoni Nënë Terezën?
Nënë Tereza është më e dashura, më e mira, më e urta, më e thjeshta, më madhështorja Nënë që ka ekzistuar në botën tonë. Te secila nënë shqiptare ka nga pak Nënë Terezë. Te Nënë Tereza ka nga pak prej secilës nënë shqiptare. Nënë Tereza është ajka, nektari, kuintesenca e nënave shqiptare. Nëse nënat shqiptare janë gjeniale në përkujdesjen e familjes, “familja” për të cilën u përkujdes shenjtorja Nënë Tereza është mbarë njerëzimi. Nuk ka asnjë teprim në qasjen mes Nënë Terezës dhe nënave shqiptare. Për ta konstatuar ngjashmërinë shenjtërore mes nënave shqiptare dhe Nënë Terezës, mjafton të largohesh një çast nga zhurmëria e përditshmërisë që deformon pamjen. Apo si thotë populli, mjafton të mos u vësh veshin “zilkave që pengojnë të dëgjohen këmborët”. Pasi ta kesh bërë këtë, për faktin që Nënë Tereza, nga jashtë e nga brenda, në kockë e në palcë, në ind e në qelizë, është një shqiptare tipike, dhe nënat tona edhe ato secila në mënyrën e vet janë shenjtore, nuk mbetet asnjë dyshim.
Me veprën e saj të pavdekshme, me vullnetin e saj të pafundmë, me dashurinë e saj të pakufishme, Nënë Tereza është një gjeniale universale sa shqiptare dhe botërore, sa tokësore dhe qiellore. Nënë Tereza është drita e qiriut që i rrëfen rrugën udhëtarit të vetmuar nëpër natë, fjala që ngushëllon fukarain, këshilla që sensibilizon zengjinin, durimi që zbut të pandjeshmin, arsyeja që largon urrejtjen dhe afron dashurinë. Nënë Tereza është një fenomen unikal i atij lloji aq të lartë dhe i atyre përmasave aq të mëdha sa nuk mund të matet apo krahasohet, por vetëm pranohet dhe respektohet. Nënë Tereza është dhurata më e vyer që Shqipëria i fali njerëzimit. Nënë Tereza, e kudondodhura shenjtore e dashurisë, urtësisë, mëshirës, ka qenë, është dhe kurdoherë do jetë prezente kudo ku qenia njerëzore vuan, ku shpirti njerëzor lëngon, ku zemra njerëzore rrezikon të ndalë, sa këtu dhe tani, aq dhe në pafundësi dhe përjetësi. Nënë Tereza është nëna e atyre që dashuria u duhet por nuk e kanë, shëndetin e dëshirojnë por nuk e gëzojnë, hallet nuk u rreshtin, lotët nuk u ndalin.
Çfarë përfaqëson për Ju, zoti President, data 4 shtator 2016?
4 shtator 2016 është dita e institucionalizimit të shenjtërisë së një nëne shqiptare e cila shenjtore ishte që kur lindi. Është datë e takimit të rrallë dhe solemn mes Shqipërisë dhe botës. Si e tillë, 4 shtatori 2016 është datë e një rëndësie kolosale shqiptare dhe botërore.
Çfarë ju impresionon më tepër lidhur me Nënë Terezën dhe veprën e saj?
Martirja Nënë Tereza është një univers i tërë cilësish dhe vlerash humane, religjioze dhe shoqërore. Universaliteti i vlerave që Nënë Tereza përcjell, dhe pangjashmëria e saj, janë ato cilësi që më së shumti e karakterizojnë shenjtoren tonë. Përulësia e Nënë Terezës ndaj Zotit dhe njerëzve është mahnitëse! Përbuzja që Nënë Tereza i bëri materialitetit është e pashembullt! Energjia e saj, durimi i saj, insistimi i saj, janë të pafundmë! Nënë Tereza me shembullin që dha u kujtoi njerëzve se nuk janë të përjetshëm por të vdekshëm; se rendja pas së mirave materiale nuk duhet të jetë e pafundme, por duhet të ketë një kufi që nuk duhet kapërcyer; se nuk ekziston vetëm “uni”, vetëm “vetja”, por edhe “tjetri”, i cili kur është në rrugë të mbarë duhet inkurajuar, kur është në nevojë duhet ndihmuar, kur gabon duhet falur.
A ka ndikuar emri i Nënë Terezës në imazhin e Shqipërisë në botë?
Nënë Tereza e ka për mirësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve më tepër se gjithkush tjetër. Në të gjitha nivelet. Në të gjitha pikëpamjet. Me efekte maksimale. Në stilin më të lartë. Në mënyrën më sublime.
A besoni Ju, z. President?
Po, besoj. E konsideroj të tepërt të shtoj “me gjithë zemër” apo “me gjithë shpirt”, apo të tjera përcaktime që besimit i japin karakter sasior. Besimi nuk mund të jetë “pak”, “shumë”, “i tepër”, i “mangët”. Besimi nuk është “sasi”, pra i matshëm. Besimi është “cilësi”, pra i pamatshëm. Besimi është fakt i brendshëm tërësisht personal, individual. Besimi, duke qenë thellësisht shpirtëror dhe individual, nuk ka asgjë të përbashkët me detyrimin, imponimin, e aq më pak me mburrjen, krekosjen.
Sa rol luan besimi në jetën e njeriut?
Besimi luan rol themelor. Pa besim, ekzistenca njerëzore është e paorientuar, e shthurur, e egër. Me besim jeta merr kuptim, për veten, komunitetin, botën. Besimi siguron ekuilibrin shpirtëror, pa të cilin asgjë e mbarë, e mirë, e dobishme, nuk është e mundur.
Ju do të merrni pjesë në aktivitetet që do të organizohen me këtë rast në Vatikan dhe Shkodër, çfarë mesazhi do të përcillni për Nënë Terezën? / Marr nga Gazeta Express/