Ngjarja tragjike ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, në Juglindje të vendit, para dy ditësh. Por jehona fatkeqe e ngjarjes nuk ka të sosur. Viktimë e krimit mbeti 18 vjeçari Fabio Hila, gjimnazizt. Vrasësi, Fabian Muçollari, 17 vjeç, menjëherë pas vrasjes tentori të arratisej, por ra në duar të Policisë.
Tregimet rreth ngjarjes nuk kanë pushuar.
Sot një nga të pranishmit në vendngjarje, bëri deklaratën e tij, çfarë i kishin parë sytë. Ky deklarohet se është gazetar; emri i tij është Tonin Frroku. Ka parë gjithçka ka ndodhur. Përmes rrjeteve sociale ai ka thënë sot se adoleshenti vrasës hyri në bar ku ndodhej edhe Fabio Hila që mbeti viktimë, hyri qetësisht me armë automatike kallashnikov në dorë, dhe tragjedia ndodhi.
Edhe akti i fundit u shënua përmes një gjakftohtësie kriminale të adoleshentit. Ai bëri qitje në ajër me armën e tij; trembi njerëzit dhe i urdhëroi të dilnin jashtë. Pastaj iu drejtua bashkëmoshatarit Fabio. Ky, i tmerruar, hyri poshtë banakut të barit dh iu lut tjetrit me armë: “Të lutem mos qëllo, mos më vrit!”.
Mirëpo adoleshenti vrasës qëlloi ftohtësisht; qëlloi me gjithë plumbat që kishte arma. Fabio Hila, gjimnazist mbeti pa jetë.
Ndërsa Fabian Muçllari la barin, trupin e pajetë të bashkëmoshatarit dhe u drejtua andej nga fshati i tij në Vërdovë.
Dëshmitë se si dhe pse ndodhi tragjedia tregojnë se të dy adoleshentët ishin “grindur” përmes Facebook. Grindja ishte virtuale. Edhe shkaku- virtual; të dy adoleshentët ishin grindur në Facebook për një vajzë, me siguri adoleshente.
Vrasësi mendonte se Fabio Hila e ngacmonte adoleshenten.
Kështu u krye krimi, ftohtësisht, nga adoleshenti.