Një ditë pas alarmit për kërcënime të mundshme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Përfaqësues të saj kanë qenë të pranishëm në aeroport, ku janë instaluar pajisje kontrolli të prodhuara në SHBA.
Në një njoftim zyrtar, Ambasada thekson se bashkëpunimi me ofrues të besueshëm të teknologjisë amerikane ndihmon në përmirësimin e standardeve të sigurisë për kompanitë shqiptare, si dhe në forcimin e kontrollit kufitar.
Kjo lëvizje vjen pas paralajmërimit të bërë një ditë më parë, ku Ambasada Amerikane u bëri thirrje qytetarëve të saj për vigjilencë të shtuar. Sipas njoftimit, ekziston mundësia që grupe të lidhura me Iranin të synojnë objekte që lidhen me Shtetet e Bashkuara ose me opozitën iraniane në Shqipëri.
Ambasada paralajmëroi gjithashtu se objektiva të mundshëm mund të jenë edhe vende publike dhe të frekuentuara, përfshirë zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Autoritetet shqiptare nuk kanë raportuar incidente, ndërsa masat e sigurisë në pikat kyçe të vendit pritet të mbeten të shtuara.
Komente