Nga: Veritas.com.al/

 

/ Veritas.com.al/

Ish kryeministri Pandeli Majko, ka folur për agjencinë  e Lajmeve “Kosova Press”, rreth impaktit negativ që ka krijuar marrëveshja Rama- Vucic, e konsideruar “marrëveshje thikë pas shpine ndaj Kosovës”. Majko, në një moment i ka ngritur tonet dhe ka thënë kështu: ” Ne mund të mos jemi lojtar global, por ne mbetemi vendi i cili nëse preket sovraniteti i Republikës së Kosovës, Shqipëria hyn dhe implikohet automatikisht në konfliktin me cilindo”.

Konceptin e “lojtarit global”, zoti Majko e tërhoqi nga deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai, po kaq i angazhuar në “impaktin negativ” të marrëveshjes Rama- Vucic mbi Kosovën, tha se nuk presim që qeveria e Shqipërisë të flasë në emrin e shtetit të Kosovës, as për marrëveshjet me Serbinë. “Shteti shqiptar nuk është lojtar global, ne si aleatë global kemi Bashkimin Europian dhe Amerikën”, tha Hoxhaj. Majko shprehu papajtueshmëri me ministrin e jashtëm të qeverisë së Kosovës.

Ndërsa marrëveshja Rama- Vucic ka si objekt ndërtimin e disa autostradave që lidhin Nishin (qytet i dytë i Serbisë) me zona të tjera, dhe që kalojnë nëpër territorin e Kosovës. Por në bisedimet për marrëveshjen Rama- Vicic, që prek territotin e Kosovës, nuk është njoftuar dhe as është ftuar qeveria e Kosovës si palë.

Pas kësaj në qarqet e politikës, të intelektualëve, diplomatëve dhe mediave, kanë shpërthyer në një debat të gjerë kundër marrëveshjes; gjë që e bezdis ish- kryeministrin socialist Majko. Intervista që ai ka dhënë  për “Kosova- Press” është më e gjatë, por pika kulmore është momenti kur iu tregon të gjithëve gishtin e “luftës” dhe sidomos Serbisë.

Intervista është publikuar sot vonë, dhe ende nuk dihet nëse Majko do ta tërheqë kërcënimin apo jo. Ende nuk dihet sa e shqetësuar do të jetë NATO (ku ushtria shqiptare bën pjesë) dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e në Prishtinë. Akoma nuk ka reagim as nga qeveria e Serbisë.

Pandeli Majko është kryeministri i periudhës kur ndodhi eksodi i “famshëm” i popullsisë së Kosovës drejt Shqipërisë, viti 1999, për shkak të represionit të regjimit të Milloshevicit mbi kosovarët dhe në momentin e bombardimeve të NATO mbi Serbi e Kosovë. Majko është vetkonsideruar “mbret i luftës së Kosovës”. Ai është qytetar i dyfishtë, i Kosovës dhe i Shqipërisë. Vëllai i tij është martuar dhe tani banon në Kosovë- martesë simbol që u ngrit në kohën e Luftës.

Verita.com.al/