Serbët në Kosovë duhet të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet, sipas të dërguarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, nga Peja, Escobar deklaroi se serbët janë duke vuajtur për marrjen e pensioneve të tyre dhe thesoi nevojën për të gjetur një zgjidhje të menjëhershme.

“Desha të vij në këtë vend për të dëgjuar historitë nga dora e parë që kanë njerëzit mbi ndikimin që është duke pasë vendimi i BQK-së. Është e vështirë që të dëgjohen këto histori dhe të mos lëvizet. Këtu është një komunitet që është duke vuajtur. Ka njerëz të cilët po përballen me vështirësi reale të mungesës së opsioneve për marrjen e pensioneve. Kështu që, unë dua vërtet që të punoj me Qeverinë me shpresën që të gjejmë një zgjidhje të menjëhershme”, tha Escobar.

Sipas tij, serbët në Kosovë duhet ta ndiejnë mbështetjen e SHBA-ve.

“Për komunitetin këtu, unë dua që këta të ndiejnë dhe të dinë se qeveria amerikane do që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurisë dhe dinjitetit dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe për Qeverinë e Kosovës – ata kanë përgjegjësinë që kjo të ndodhë dhe ne do ta mbajmë përgjegjëse për këtë”, nënvizoi Escobar.

Gjithashtu, Escobar tha se marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi duhet të zbatohet dhe se për këtë do të vazhdohet të punohet.

“Ndërkohë, në terma afatgjatë, ne duhet të punojmë fort për të zbatuar marrëveshjen historike për normalizim që e arritëm në mars të vitit të kaluar. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë, por ndërkohë mendoj që të gjithë njerëzit e Kosovës mund të llogarisin në mbështetjen amerikane, përfshirë shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë që jetojnë në këtë vend. Shpresoj që e ndiejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”.