Nga: Astrit Patozi/
Nuk kisha fare ndërmend të merresha me ty sot, sepse jemi tërësisht të fokusuar në shpjegimin e projektit tonë të ri politik, si një ofertë që shqiptarët duhet ta kenë për të shpëtuar nga krizat dhe depresioni që i krijon Shqipërisë qeveria jote. Por ti qenke pickuar nga BINDJA DEMOKRATIKE, njësoj si shumë të tjerë, që po rrëmojnë në biografinë e saj vetëm dyditore, duke e sulmuar atë që në bark të nënës.
Sigurisht, që unë nuk befasohem nga ky reagim, sepse e di mirë që ti, më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri, je i trembur nga çdo lëkundje, që mund të trazojë moçalin e pistë të kryetarokracisë.
Së pari, duhet të dish që babai im i vetëm është Hiqmet Patozi dhe unë ndjehem shumë krenar që jam djali i tij. Në kontekstin që me je referuar mua, ti i bie që të jesh biri i Enverit dhe, në fakt, është e provuar se nuk ke lënë gjë pa bërë që t’i ngjash. Madje mund të them me bindje (edhe demokratike, po të duash) se po të lamë të qëndrosh për shumë kohë në atë karrike, ke mundësi edhe që t’ia kalosh. Por ti mos u gëzo kot, se kjo nuk ka për të ndodhur.
Unë e kuptoj që ti je i mërzitur nga që të ka ikur nga sytë gjysma jote më e mirë, me të cilin gatuat pazarin e shpifur të 18 majit. Sepse tek ai, me sa duket, i ke mbështetur të gjitha shpresat për ta ruajtur të pacënuar këtë sistem të kalbur politik, prej të cilit përfitoni që të dy. Natyrisht, sot që po flasim, ti shumë më tepër.
Por unë besoj se ti e ke një mundësi që të shpëtosh nga kjo mungesë përvëluese. Bjeri edhe ti bilbilit të “Rilindjes” në parlament për të djegur mandatet dhe është ngjarje e sigurt që të gjithë ushtarët e radhës së parë të listës tënde do të të ndjekin. Takohuni bashkë aty jashtë, se mbase edhe ai, ngaqë nuk duron dot pa ty, është duke hedhur kapsolla dhe kërcënuar se do të ketë përplasje civile më 30 qershor.
Kushedi, ata që do vijnë pas rilindasve të djegur mund të jenë edhe më të përgjegjshëm, se që janë më pak të korruptuar, kjo nuk ka nevojë për debat. Po pate ndonjë merak se mos ta dredhin, lër si dezhurn vetëm Damianin dhe emëroje rebel ose të pabindur, që të mos kuptohet.
Me këtë rast, një rrugë e dy punë, edhe ju gjeni njëri-tjetrin të djegur e të përmalluar, si në baladat e rinjohjes, por edhe Shqipëria shpëton një herë e mirë prej jush. Të fala!
Veritas.com.al/