Nga: Laert Skiro/

Këtu kalojnë arinjtë, ujqit dhe ‘peshqit e mëdhenj’, ndërsa mbeten lepujt. Lepujt janë krijesa të buta, të frikësuara nga të gjitha kafshët e pyllit dhe nga armët, por këto e pësojnë më keq.

Ndërsa ‘kloni’ tashmë është një fjalë thuajse e harruar, por shumë e ‘nderuar’ në periudhën e diktaturës komuniste. Fjala është harruar bashkë me objektin, siç ndodh me gjuhët që vdesin. Por fjala  ‘klon’ e huazuar nga sovjetizmat, nënkupton një brez të butë në gjithë vijën kufitare të shtetit ku diktatura Hoxhaiste kishte vendosur përveç telave të kufirit. Në këtë ‘brez të butë’ të klonit linin gjurmët e tyre që nga lepujt deri te arinjtë. As lepujt e as arinjtë nuk mund t’i shpëtonin këtij kufiri dhe armës së rojeve ushtarake përgjatë gjithë kufirit të Shqipërisë nën diktaturë.

Kthimi i klonit, ironikisht mund të jetë një vijë paralele me atë çfarë po ndodh tani.

Natën e vitit të ri ‘në klonin’ e kufirit shqiptar kanë ngecur dy ‘lepuj’ të vegjël, ndërsa po kalojnë të gjitha ‘kafshët’ e rrezikshme të pyllit të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Dy lepuj të vegjël mund të quhen dy njerëz të thjeshtë që më datë 18 dhjetor morën pjesë në protestën e Opozitës kundër vendimeve të Parlamentit për shkeljen e Kushtetutës. Ata janë arrestuar natën e vitit të ri teksa po kalonin për të kaluar festat e Vitit të Ri te të afërmit në Maqedoni dhe Kosovë.

Janë ndaluar nga policia:  Fiqirie Nezaj dhe Osman Lavanaku, të dy protestues rreth selisë së Kuvendit ditën që votohej për zgjedhjen e Prokurorit të përgjithshëm, që sipas Opozitës u krye në shkelje të plotë të Kushtetutës. Partia Demokratike ka protestuar ashpër kundër ndalimit të tyre, madje duke përdorur edhe fjalët se ‘ky është fundi i kryeministrit’.

Pavarësisht nga sloganet politike, një gjë të bën përshtypje:

Po si nuk ndalohen kurrë ‘kafshët’ e mëdha të pyllit të korrupsionit, madje as ata që kërkon Europa dhe Amerika; madje as ata që i kanë krimet kundër njeriut dhe kundër pasurisë publike deri mbi kokë dhe duken qartë? Edhe Balili kaloi këtu, edhe Tahiri, edhe Habili, edhe ‘Katili’, edhe ‘Bandilli’… Vetëm dy protestues të vegjël si lepuj mundi të mbajë ‘kloni’.

Çudi, si nuk mban kloni i këtij shteti kriminelët e mëdhenj, veç të vegjlit dhe të varfrit…

Veritas.com.al/