Frrok Çupi/

Të ketë shkuar dëm Lufta e Kosovës?! Që ditën kur lufta mbaroi, në 10 qershor 1999, një luftë e gjatë është bërë për ta zhbërë Luftën për shtetin e pavarur pro- perëndimor të Kosovës… Kanë luftuar edhe nga brenda, si në Trojë, për të ndërruar drejtimin e Kosovës përkah ndryshe Perëndimit që bëri luftën.

Dje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kërkoi “me këmbë të kalit” Medvedevin e Rusisë- njeriun numër 2 që është një ngjizje te numri 1, Putin. Thaçi , me nofkën ‘gjarpër’ në Luftën e  Kosovës, e kërkoi me dyfishin e rrugës një kontakt me kryeministrin e Rusisë:

Njëfishi i rrugës ishte ajo që nga Prishtinë në Ankara të Turqisë për të festuar ngritjen në pushtet të pakufishëm të autokratit Erdogan.

Njëfishi i dytë i po kësaj përpjekjeje për takim mes Thaçit dhe Mevedev ishte kërkimi nëpër korridoret e ‘sulltanatit’ dhe nëpër labirinthet e turmave pa fund të frymëve njerëzore që skllavëroheshin në një festë jashtë realiteti në Turqi.

Por sidoqoftë, plani për takimin Thaçi- Medvedev ishte i bërë; ai veçse u plotësua në një arenë kaq të dyshimtë për aleatët tanë, siç është mejdani i vrasjes së demokracisë në Turqi.

Edhe pse mund të ketë njerëz që thonë “po atëherë, ça pse u takua me Medvedevin?!”, unë e neveris këtë pederasti politike. Presidenti i Kosovës nuk e takoi kryeministrin Rus ashtu si rastësisht, në një pazar ku u përplasen te një tezgë me domate të freskëta. Jo! Medvedev dhe Thaçi u takuan në kulmin e vëmendjes politike dhe gjeopolitike mbi ndërhyrjet e Rusisë në Kosovë e në rajon. Ka disa kohë që kjo ndërhyrje është konstatuar fort prej aleatëve tanë si komb, që janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Me takimin Thaçi- Medvedev, kjo ndërhyrje duket qartë.

Por po kaq qartë shikohet dorëzimi i presidentit të Kosovës te Moska. Nëse Shtetet e Bashkuara do të kërkojë të dhëna dhe prova mbi ndërhyrjen e Rusisë në rajon, dhe përpjekjet ruse kundër NATO-s, atëherë nuk ka më kuptim që të bëhen hetime: Fakti ja ku është ‘ashiqare’, Kosova vetë “kërkon kthimin nga Rusia”, sipas veprës së presidentit të Kosovës.

Edhe një herë, jo vetëm pse Thaçi takoi Medvedev, por sepse Thaçi- sipas deklaratës së tij- i ka dorëzuar portofolin e shtetit të vet kryeministrit rus. “Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona” shkruan Thaçi me dorën e tij.

A nuk e shikoni që Thaçi informon Moskën mbi situatën në rajon, akoma pa e pasur detyrë shtetërore e Kushtetuese?!. A e shikon se ndërsa janë hapur bisedimet Serbi- Kosovë nën kujdesin e BE, presidenti i Kosovës raporton në Moskë?! A e shikon që ‘komunikimi fillestar’ me Moskën do të thotë “i prishim të gjitha çfarë thamë kundër Moskës…, i fshijmë edhe rekordet me Perëndimin, dhe nisim epokën me ju, të dashur udhëheqës të Rusisë”, sipas Thaçit.

Perëndimi lihet pas krahëve… Ky është projekti i Turqisë dhe Rusisë për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u nisur që nga Kosova dhe Shqipëria. Vëmendja e Shteteve të Bashkuara po manifestohet shumë e lartë kohët e fundit, të paktën duke u nisur nga emërimi i ambasadorëve dhe diplomatëve të rinj në Tiranë e në Prishtinë- ekspertë të lartë të Rusisë dhe Turqisë…

A mund të fitojë furia e liderëve të Ballkanit, (i pari Thaçi), për të kthyer fytyrën nga Ankaraja dhe Moska?…

Aq e vështirë ë duket kjo sa të lëvizësh boshtin e rruzullit tokësor. Kaq e vështirë është edhe që të shkelët e të bëhet ‘haram’ lufta e Kosovës e vitit 1999. Bombardimet mbi Serbi, për t’i dhënë lirinë Kosovës ( për të krijuar edhe vetë Thaçin si president të shtetit të pavarur) u vranë rreth 500 civilë, u shkatërruan ura, komplekse industriale, ndërtesa publike, biznese private si dhe baza ushtarake.  Bombardimi i NATO-s gjatë lutës për Kosovën ishte lufta e dytë më e madhe në historinë e NATO-s, pas fushatës së bombardimeve mbi Bosnjë- Hercegovinë. Kjo ishte lufta e parë në historinë e NATO-s kur u përdor ushtria e saj pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB.

Kush do të mbetet pas krahëve: Lufta e Perëndimit për Kosovën, apo Thaçi me kundërshtarët e Kosovës?

Veritas.com.al/