Sot mbushet një muaj nga tërmeti tragjik që goditi vendin tonë, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore.

Ishte ora 03:55 e mëngjesit të datës 26 Nëntor kur toka u lëkund nga një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter me epiqendër në detin Adriatik pranë brigjeve të Durrësit.

Thumana dhe Durrësi ishin dy zonat më të goditura, ku pati edhe viktima. 51 persona humbën jetën dhe mbi 900 të tjerë u plagosën. Edhe dëmet materiale që la pas tërmeti janë të konsiderueshme. Sipas qeverisë, fatura e plotë e dëmeve pritet të dalë në muajin Janar 2020.

Pas lëkundjeve të fuqishme në orët e para të mëngjesit të 26 Nëntorit, ekipi i gazetarëve të tvklan.al u përqendrua kryesisht në zonën e Thumanës, aty ku ishin rrëzuar dy pallate.

Momentet e para ishin shokuese edhe për vetë gazetarët. Kudo mbizotëronte një gjendje shoku, ndërkohë që sapo kishte nisur organizimi në terren i strukturave të emergjencës për kërkimin e të mbijetuarve në rrënoja.

Shqiptarët kudo ku u ndodhën, në çdo krahinë të vendit e në Kosovë si edhe në diasporë,  u angazhuan për të bërë të pamundurën në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti.

Vendet e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara e popujt fqinjë u angazhuan maksimalisht. Izraeli, me ekspertët dhe ndihmën e pakursyer njerëzore, i kujtoi botës edhe një herë se shqiptarët janë gjendur në krah të hebrenjve në ditët më të egra të gjenocidit Nazist.

Qeveria shqiptare angazhoi të gjitha kapacitetet e veta në favor të shërimit të plagës së rëndë që vendit tonë nuk i kishte ndodhur në shekuj.

Tani, pas një muaji, mund të themi se askush prej të pastrehëve nga tërmeti, nuk rrezikohet nga dimri i egër që po vjen dhe as nga ‘ harresa’.

Do të kalojnë dekada dhe populli shqiptar nuk do të harrojë.

Veritas.com.al/