“Do të bëhet edhe më keq, përpara se të bëhet më mirë në Ukrainë”.
 Ose të paktën, kështu mendon ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, së bashku me shumë analistë e kritikë të tjerë të gjeopolitikës ndërkombëtare, mbi efektin e luftës në Ukrainë, e cila futet zyrtarisht në muajin e dytë të agresionit putinist-moskovit ndaj Kievit, Ukrainës dhe gjithë botës Perëndimore.

Rreth tre orë patën kaluar nga mesnata, kur po gdhinte e enjtja e 24 shkurtit.

 

Ai që dukej si një imazh i largët i një retorike agresive nga ana e Vladimir Putinit karshi Ukrainës, u bë realitet.

 

(Vladimir Putin)

“Do të çmilitarizojmë Ukrainën. Do të denazifikojmë Kievin dhe do të zhdukim kriminelët nga drejtimi i atij shteti, i cili na kërcënon”.

Në Ukrainë, gjithçka u zhbë dhe u bë- në një fraksion sekonde.

Ishte “Ora Zero”.

Pika e kontrollit në Kalanchak të Krimesë u sulmua e para. Më pas erdhën mësymjet në Ukrainën Lindore dhe në qytetet më të mëdha.

Veriu, veçanërisht Kievi, nuk i shpëtoi  goditjes, ose së paku, tentativës, e cila hasi në një rezistencë të paparashikuar, nga një njeri dhe nga një popull që kryefjalë të ekzistencës ka vendosur lirinë.

Presidenti jo komik

Homologu ukrainas i Putin-it, Volodymyr Zelensky, karrierën e tij të pazakontë e ka nisur si president, por në një serial televiziv komik. Më pas, si ish-komedian, ai krijoi një lëvizje të ngjashme me atë që zhvillon në jetën fiktive të filmit, veçse komik nuk ishte më dhe këtë e tregoi më së miri menjëherë pas agresionit rus.

Ndryshe nga sa pritej, Ukraina nuk e priti krahëhapur pushtuesin rus në tentativë.

Bota nuk i jepte as disa orë rezistencë komikut Zelensky përballë adashit të tij jo-paqësor.

(Volodymyr Zelensky)

Një muaj më pas “komik” nuk është më Presidenti i Ukrainës. Por, falë rezistencës së tij dhe të popullit ukrainas, në limitet e “komikes”, po kthehet ushtria ruse dhe mbi të gjitha, lidershipi rus, i cili duket se nuk e kishte studiuar mirë agresionin.

Zelensky u kthye shpejt në një fenomen botëror të politikbërjes, me popullin të gjithin në krah të tij. Videot e përditshme të publikuara, ku tregohet se ai vijon të jetë në Kiev, u kthyen në simbol të shpresës për një vend të lirë.

Uzurpatori, nuk u pranua. Pasojat nga ana tjetër, u pranuan dhe u parashikuan, por Ukraina nuk iu tremb.

Rezistenca, jo vetëm që zgjati. Ajo duket se do të vijojë  të zgjasë.

Nuk ishte e lehtë. Është dëshpërimisht e vështirë

Nuk do mend se një muaj rezistencë i popullit ukrainas, ka qenë shumë i vështirë. Një pjesë e qyteteve kryesore, kanë qenë të rrethuara, me rezerva ushqimore shumë pranë fundit.

Një pjesë tjetër, sheh bombardime të përditshme, përfshi bombardime mbi civile dhe shkelje të armëpushimeve të korridoreve humanitare.

Por jo e lehtë, nuk është vetëm për Ukrainën.

Carter, pikërisht këtë citon si më të keqen e luftës. Ditët më të këqija do të vijnë, sepse muaji i shkuar, nuk ka qenë edhe aq i keq sa mendohej.

“Po shkon shumë më keq se sa Putini e parashikonte”, ka thënë ai nën rolin e profesorit mbi çështjet globale pranë shkollës për punë të jashtme, Kennedy, duke iu referuar planit fillestar të presidentit rus, i cili ishte të rrokte kontrollin në Ukrainë në pak ditë dhe të vendoste në krye një qeveri kukull.

“Për këtë fakt, do të jetë më keq se sa prisnim dhe ne. Do të ketë dëshpërim dhe mendoj se, në të tilla kushte, Putini do t’i drejtohet dhunës së mëtejshme”, e artikulon në pak fjalë mendimin Carter.

Një retorikë putiniste kjo, ku është arritur për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, të thirren në politikën ndërkombëtare dhe të artikulohen, armët më shkatërruese në rruzullin tokësor – ato bërthamore.

(Sa?)nksione

Përgjigja e Perëndimit ndaj Putinit dhe regjimit të tij agresiv, nuk është se pritej të ishte ajo e një ndihme ushtarake që do t’i servirej Ukrainës në formë direkte.

Megjithatë, edhe kjo lloj ndihme – e moderuar – erdhi nga disa shtete. Për më tepër, një sistem i përbashkët nën formën e një force mbrojtëse, është tërësisht i mobilizuar.

Por, forma kryesore e ndëshkimit ndaj Rusisë, ishte ajo e sanksioneve.

Sanksione, të cilat nuk janë parë ndonjëherë kundrejt ndonjë regjimi në historinë botërore, në terma të ekonomisë dhe konjukturës social-kulturore njerëzore.

Në formë direkte, qindra bashkëpunëtorë të Putinit – përfshi atë vetë – janë ndëshkuar me masa shumë të ashpra, përfshi ngrirjen dhe sekuestrimin e aseteve pasurore në vende të ndryshme.

Shkalla e sanksioneve është aq e madhe, sa Zvicra “zhbëri” neutralitetin e saj, dhe iu bashkua atyre.

SHBA-të, Bashkimi Evropian, të gjithë fuqitë perëndimore, kurrë nuk kanë qenë më të unifikuara kundër një armiku të përbashkët, në retorikën politike që po përdorin.

Përjashtimi nga sistemi i pagesave SWIFT, i vuri edhe kapakun masave ekonomike.

Hapësirat ajrore me të gjithë shtetet perëndimore janë mbyllur për Rusinë. Një seri kompanish private, u janë atashuar goditjes, me përjashtime të vogla.

Sërish, frika është e madhe se ndihmës kryesorë të rusëve mund të jenë kinezët, me financimeve dhe ndihma ushtarake direkte, por në formë të fshehtë. Sepse, edhe pse Rusia mendohej se nuk mund të përballonte dot më shumë se dy javë sulm të plotë, pas një muaji, duket larg të qenit pranë fundit.

Ushtarë rusë në Ukrainë

Rubla, sigurisht, është goditur po ashtu nga këto seri paketash të njëpasnjëshme masash.

Por, nga ana tjetër, ajo mbahet ende në këmbë dhe sekreti për mbijetesë, është resursi më i madh rus – gazi – pa të cilin, kontinenti i vjetër, duket se nuk bën dot.

Të paktën, deri tani jo!

Lufta e Ftohtë pranverore

Pranvera ka ardhur në Ukrainë, por erërat e ftohta siberiane ende po fryjnë.

Në vitin 1941, ishte dimri i acartë, ai i cili e verboi ushtrinë e Adolf Hitlerit, duke ia çuar në dështim operacionin Barbarossa, për të pushtuar ish-Bashkimin Sovjetik.

Gjithsesi, ashtu si historia na mëson, pavarësisht dështimit, ngjarja vërtetë kulmuese nuk është në vetvete operacioni Barbarossa, por ajo çfarë u zhvillua në kursin e tre vjetëve të ardhshme.

Pra, rrethimi i Leningradit!

Nëse ka diçka sot, që i ngjan asaj ngjarjeje ku rusët vuajtën dhe ende e vuajnë në kujtesë, është monedha e njëjtë që po i servirin Ukrainës.

Shëmbëlltyra qartësisht e pasqyrueshme, është qyteti lindor i Mariupolit.

Prej javësh, aty po zhvillohet kriza më e madhe humanitare në gjithë ish-republikën sovjetike.

Pa furnizim me ujë, ushqime, aq më pak elektricitet… Banorë, të cilët në 24 orë, jetojnë me një bukë e një shishe ujë. Për ndonjë fëmijë, kur ka, edhe një kuti të vogël me lëng frutash.

Ngjashmëri është edhe ajo krahasuar me Luftën e Ftohtë, për shkak se rastet nuk janë të pakta, kur duket sikur armiku i vërtetë i Kremlinit, nuk është Kievi, por Washingtoni.

Profesoresha amerikane e studimit të historisë, Mary Sarotte, mendon se Putini është thellësisht i ndikuar nga Lufta e Ftohtë dhe se ajo e ka çuar drejt marrjes së vendimit për pushtim.

Por, studiuesja nuk mendon se ai do të rikthejë në hartë ish-Bashkimin Sovjetik.

Vajtimin kryesor sipas saj, kreu i Kremlinit e ka specifikisht me Ukrainën dhe me mënyrën sipas tij “jo të drejtë”, të ndarjes së pas-Luftës së Ftohtë.

Andaj, për këtë arsye, nëse Mariupoli rikthen në sytë e tij dhimbjen e Leningradit ose vetë Kievi i shëmbëllen me ideologjinë (sidoqoftë ajo) ish-Sovjetike, pak rëndësi ka për të, sipas mendimit të Sarotte.

Ndryshe nga Hitleri, Putini nuk vendosi të sulmojë në verë, për ta zgjatur luftën në dimër.

Ai e mbylli dimrin me sulm, për t’u zhvendosur gradualisht drejt pranverës, në pikat ku mendon se duhet të mëshojë.

Ecejaket rimishëruese në Evropën Lindore mandej, sërish duken shumë të largëta, kur askush nuk lëshon pe.

Një muaj në luftë! Ukraina, konkretisht.

Paqja, duket e largët