Frrok Çupi
Liljana i kishte shumë për qejf tropojanët e Tiranës gjatë asaj periudhe; aq sa edhe Sokolin e kishte bërë njëfarë maxhordomi për ta. Nuk u kuptua kurrë qartë pse: A i mungonte njeriu i Alpeve që nga momenti kur Vita- e ëma, i kishte folur për ata burra shtatlartë të Tropojës?, apo ajo thjesht luante me ta si ‘Zonja me kone’?. Liljana ishte gruaja më ledhatare e Tiranës në atë kohë. Më vonë u lidh miqësisht shumë ngushtë me Arshin Xhezon- kryeredaktor i Zërit të Popullit, një njeri i verdhë në fytyrë, i cili nuk e duroi ardhjen e demokracisë dhe vrau veten dy herë, por mbijetoi… Por deri atëherë kishte udhëtuar në Tropojë e kishte lidhur miqësi shumë të fortë me tropojanët e Tiranës. ‘Si e kemi shokun Enver?’, e pyesnin në rrugët e qytetit dhe ajo ndihej sa vetë Enveri.
Lidhja shumë e ngushtë e Liljanës dhe Sokolit ka qenë shpëtimtare për Saliun, aty pas vitit 1981, kur Sali Berisha u vu në pozitën më të rrezikshme të jetës së tij në Bllok. Në Bllokun e Politbyrosë ai e kishte futur këmbën falë një tropojani tjetër, dr. Dine Abazi, që vuri peng besimin e tij para udhëheqjes për ta pranuar edhe dr. Berishën në punët e Bllokut. Më vonë dr. Dine Abazi, sa dëgjonte emrin e Saliut bëhej keq e turfullonte si para një përbindëshi; Saliu ia kishte punuar, i kishte zënë vendin dhe i kishte thurur njëmijë intriga. Edhe pasi ‘erdhi demokracia’, Saliu vazhdoi ta provokonte bashkëfshatarin e tij, shokun e klasës e të bankës dhe njeriun që e futi në Bllok. Një ditë, kur Saliu tashmë kishte makinë (sepse e vunë ‘në krye të demokracisë’), e shikon Dinen në rrugë dhe urdhëron shoferin t’i ndalojë para këmbëve. Ndalon, hap xhamin e makinës, ngre dy gishtat dhe gati ia fut në sy Dines. Dr. Dine ngre çantën që mbante në dorë dhe ia përplas në fytyrë me sa kishte fuqi. Truproja e Berishës, më vonë tha se ‘Dine Abazi kishte pistoletë’, por kjo nuk ishte e vërtetë…
Në momentin kur Saliu ndihej ‘para ferrit’ të një skandali në bllok, në atë moment i doli Liljana që e mbajti ‘në duar të zotit’. Ishte vitit 1981, Kongresi i tetë i Partisë së Punës. Prej kohësh udhëheqja e lartë e kishte ‘fryrë’ imazhin e Berishës; e kishin vënë në tribuna të larta në radhën pas Enver Hoxhës duke rritur edhe kureshtjen e njerëzve ‘cili është ky i riu?’. Ne gazetarët, dhe të tjerë rrotull, kishim marrë vesh se në Kongres Sali Berisha do të zgjidhej kandidat i Byrosë Politike të Partisë. Kjo ishte aq e vërtetë saqë skandali në sallën e Operas, ku mbahej Kongresi, i nxori të gjitha në shesh:
Ishin orët e fundit, pak para se në tribunën e Kongresit të shpalleshin emrat e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror, ku ndodhej edhe emri i Saliut. Dikush i afrohet tribunës dhe nga pas perdes i bën një shenjë Kadri Hazbiut, ministër i Brendshëm. Ishte funksionar nga Ministria e Hazbiut.
-Ka një informacion shumë urgjent, shoku Kadri- tha i ardhuri dhe e tërhoqi ministrin në një dëshmi, teksa po i merrej fryma.
E gjitha ishte rreth Sali Berishës. Në Ministrinë e Brendshme, me rastin e zgjedhjes së Saliut në Byronë Politike, ishte zgjuar dosja e Sigurimit; fashikujt rreth nënës së gruas së Saliut, Milica. Ajo ishte me origjinë serbe; familja e saj kishte qenë aktive në shërbimet sekrete serbe.
Ky ishte informacioni. Por nuk kishte kohë, lista po shpallej; duhej njoftuar Enver Hoxha. Enveri tha se duhej hequr emri, ‘të zëvendësohet me një tropojan tjetër’. Atëherë Ramiz Alia shpejtoi dhe propozoi emrin e Mehmetit, gazetar në Zërin e Popullit. Mehmetit,, teksa ndiqte punimet e Kongresit si kronikan i gazetës, i vjen dikush ‘nga aparati’ dhe i thotë se ‘e kërkonte Ramizi’. E pastaj dëgjoi emrin e tij nga tribuna dhe u zgjodh sekretar i Parë i Rinisë.
Që në atë moment Saliu u bë një ‘rrodhe’ e një tropojani tjetër. Por ‘ferri’ mbetej në bllok. Tani që e mori vesh udhëheqja për lidhjen me Serbinë dhe shërbimet e fshehta, Saliu mund të fluturonte keq. Por Saliu nuk fluturoi kurrë; ai shkeli me këmbë mbi fatet e vendit e të popullit, ia nxiu jetën njeriut, përdori armët e mashtrimit, të gënjeshtrës, të shpifjes, të intrigës, të vrasjes dhe vjedhjes, për të bërë më të keqen. Por kurrë nuk fluturoi e nuk u largua.
… Kësaj here, pas Kongresit të Tetë, lidhjen me bllokun e mbajti përmes Liljanës, Sokolit dhe Mehmetit. Liljana kishte fuqi të mëdha marramendjeje për vjehrrin e saj, Enverin. Por edhe Enveri vetë dhe regjimi i tij, po fundoseshin përditë në duar degradimit. ‘Spiranca’ e vërtetë e Saliut dhe e djemve tropojanë të Tiranës u bë Enveri, edhe pse Liljana e fillimit vinte aty rrotull strehës së Enverit, pa pushim. Saliu mbeti mjek i bllokut, në shtëpinë e Enverit kishte shpirtin, aty bënte fotografi, lëvdata, rapsodi, dhurata dhe miqësi të afërt. Saliu u kthye në njëfarë ‘Liljana’ në atë strehë; si Saliu edhe Liljana ishin nuse të ardhura në strehën e Enverit.
Por çfarë po ndodhte realisht?
Pse po vazhdonte të mbahej në Bllok Saliu, një dhëndër serb? Pse nuk po shpallej edhe ky ‘armik i futur nga shërbimi sekret serb’, siç ishin shpallur të tjerë më parë? Nga cila anë ishte drejtimi i ‘oksigjenit’ për Berishën?, Oksigjeni vinte nga shërbimi sekret serb ku kishin shërbyer familjarët e Berishës drejt Bllokut? Apo nga blloku i Tiranës drejt Beogradit? Apo Liljana dhe djemtë e Tropojës në Tiranë kishin aq shumë fuqi sa të bënin zëro një histori të tërë të PPSH me ‘spiunët e UDB’? Si u vu ky njeri në krye të Partisë Demokratike? Si nuk i tha njeri ‘ndal’ në veprat e tij anti- kombëtare të shkatërrimit të vendit?
… Sa shumë dilema e pikëpyetje varen mbi këtë fat të ndyrë që na solli lidhja e Berishës me Enverin e me të tjerë të neveritshëm…
( Nga libri në proces ‘Trapi i Vjetër’)