Nga L. Skiro

Agron Qose në Pogradec, njihet si njeriu që ‘ka shëtitur botën’. Ndoshta kjo nofkë i mbeti pse shkoi e erdhi nga Amerika; por më në fund vendosi të mos shkojë më në kontinentin tjetër, dhe qëndroi në Pogradec.

E përflasin aq më shumë se shumë njerëz ëndërrojnë të nisin jetën në Amerikë, po nuk e arrijnë; ndërsa Agroni, 68 vjeç,  e kishte këtë shans dhe u kthye në Pogradec. Malli për ‘Poradecin” mund ta ketë lidhur pas “qytetit të gjolit’ që përshkruante Lasgushi.

Sidoqoftë, simpatik. Njeri i rakisë dhe i verës në qytetin e freskët.

Por dje ai bëri një shaka ‘me zarar’. U ngjit në katin e lartë të pallatit 6 katësh ku banon, dhe donte të vdiste. Në mos të vdiste, të paktën të bënte një spektakël: Të hidhej nga lart dhe të bënte lajm në televizion. U ngjit në ballkon dhe nisi të ekzekutojë vendimin.

Suksesin e parë e arriti: Poshtë ballkonit u mblodhën qindra njerëz, mes të cilëve operatorë dhe gazetarë.

Por edhe suksesin e dytë: Menjëherë  erdhën shumë policë, zjarrfikës dhe ambulanca. Nuk ishte pak as kjo, aq më tepër për një emigrant në Amerikë ku nuk e kishte ‘vërshëllyer’ më njeri që prej momentit kur la Pogradecin e tij.

Kjo ishte shakaja me jetën.

Shakaja me policin ndodhi pikërisht në momentin kur një polic arriti të hapë derën e shtëpisë së Agronit, me qëllim që t’i shpëtonte jetën. Policia e kishte marrë seriozisht shakanë e tjetrit. Cila qe shakaja? Agroni mori një sqepar aty rrotull dhe ia vërviti policit në kokë. Gati i mori jetën…

Dhe më në fund mbaroi spektakli:

Agron Qose doli në ballkon e ndihmonte policët që të ngjiteshin. Në vend që policët të ndihmonin Agronin për ta zbritur në katin e parë dhe “me këmbë në kokë” për jetën e tij, Agroni ndihmonte policët që t’i ngjiste në ballkonin e ‘vdekjes’.

Sapo kishin ikur avujt e rakisë…

(Shikoni Videon që filmuan operatorët e shkretë që dridheshin nga frika në oborrin pallatit)

Veritas.com.al/