Një biznesmen kafeje është ekzekutuar në një atentat të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, 4 qershor në Vlorë.
Vasil Dervishaj pronar i një lokali në Vlorë dhe sipërmarrës në tregtinë e kafesë, u ekzekutua me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.
Ngjarja është shënuar në orën 22:50 në zonën e njohur si ish kombinati i peshkut, ose lagjja “Pavarësia”.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes kanë pohuar se dëgjuan breshëri arme qe janë derdhur mbi makinën e viktimës.
Dervishaj ka qenë në një makinë tip “Ford” me targa italiane OD 476 AF dhe mendohet se është qëlluar pranë derës së makinës.
Informacion paraprak i policisë:
Më datë 04.06.2018, në lagjen ”Pavarësia” tek ish-kombinati i peshkut, është vrarë me armë zjarri shtetasi V.D., 29 vjeç, banues në Vlorë. Janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dhe për identifikimin e kapjen e autorit.
Informacion i rezervuar?
Zyrtarisht policia rezervohet të japë detaje por burimet thonë se kemi të bëjmë me një pritë. Viktima mendohet se ka shkuar të qëllojë me armë një person tjetër. Ky i fundit mendohet se ka qene vete i dytë. Në momentin që ka pikasur Dervishaj që mbante një ‘shot gun në dorë e ka qëlluar me breshëri duke e lënë të vdekur. Të paktën ky është versioni i dëshmitarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Më pas mendohet autorët se janë larguar me një automjet tip ‘Benz’ me portbagazh ngjyrë e zezë.
Policia ka ngritur grupe kontrolli për të mundësuar arrestimin e autorëve. Një nga pistat e hetimit është dhe trafiku i drogës, për të cilën biznesmeni ishte proceduar disa vite më parë, por duket se kjo çështje kishte mbetur në kuadër të procedimit policor pasi 29 vjeçari nuk rezulton i dënuar nga gjykata.
Dervishaj është babai i një fëmije të mitur.
Veritas.com.al/