Koment/
Betejën për Gjykatën Kushtetuese, Ilir Meta e konsideron të rëndësishme pasi kapja e saj nga mazhoranca, siç la të kuptohej Presidenti, do të shuante çdo shpresë për ndryshim demokratik në Shqipëri.
Duke akuzuar kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, për veprime mafioze me listat për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Meta aludoi për një bashkëpunim të Dvoranit me mazhorancën e Edi Ramës. Presidenti tha se çdo pushtet është kapur në Shqipëri dhe se përpjekja për të pakur edhe Gjykatën Kushtetuese ishte e fundit në radhë.
Por sipas Metës, nëse kjo do të lejohej, njerëzve do u mbeteshin vetëm tre rrugë: të marrin armët, të pranojnë sistem diktatorial njëpartiak ose të largohen nga vendi. Veçanërisht për dy të fundit, Meta theksoi se ishin të papranueshme.
“Duan t’i dalin në mbrojtje atij (Ardian Dvorani) me rezolutë, kuptohet se kjo është normale pasi ai nuk i ka bërë padashje këto veprime. Këto janë shumë të mirë-dokumentuara se çdo gjë është e qëllimshme. Përse? Për të kapur edhe Gjykatën Kushtetuese sepse të gjitha i kanë kapur. E çfarë u ngelet njerëzve? Parlamentin e kanë kapur, pushtetin lokal e kanë kapur në mënyrë të paligjshme, Prokurorinë e kanë kapur dhe kjo është provë e madhe për Prokurorinë. Të gjitha gjërat e tjera i kanë kapur. Çfarë ka mbetur këtu? Nëse Presidenti lejon veprime të tilla mafioze, të cilat krijojnë Gjykatë Kushtetuese me betime fshehurazi, padyshim që Presidenti është i detyruar t’i thotë popullit se këtu ka përfunduar gjithçka me shtetin e së drejtës dhe çdo mundësi demokratike për ndryshim. Këtu kanë mbetur tre rrugë nëse Presidenti do të pranonte këtë gjë, ose njerëzit për ndryshimin të marrin armët, gjë që është e dënueshme dhe e papranuesheme, ose të bëhen skllevër e një regjimi një-partiak, gjë që e kanë provuar për 40 vite, ose të ikin të gjithë nga Shqipëria. Të treja janë të papranueshme, por ato dy të fundit për mua janë tmerrësisht të papranueshme”, u shpreh Presidenti gjatë konferencës për shtyp.( TCH)
Veritas.com.al/