Nga Bashkim Kopliku*

Pra me zhdukë njenën bandë, këtë të maxhorancës, e mandej me zhdukë edhe tjetrën bandë, atë të opozitës aktuale– ketë po thoni, mor mik?!

Në teori tingëllon shumë bukur: njena mbas tjetrës i hjekin të dy bandat….

Në praktikë nuk funksionon, sepse:

1- Nuk ekziston forca që do t’i zhdukë këto dy banda, qi ato “banda” janë tashma forca qi ekzistojnë. Në politikë, forcë e aftë me zhdukë, asht nji bashkim njerëzish rreth nji qëllimi të përbashkët. Në botën moderne forcat organizohen e drejtohen rreth partive apo organizatave politike dhe koalicioneve të tyne, pas tyne vijnë turmat… Unë nuk e shoh kund nji forcë të tillë. Ju ku e shihni?!

2-Ajo që unë shoh, asht nji koalicion partishë opozitare qi ka humbë zgjedhjet, ky që ju e queni Bandë, e qi unë po e quej Opozita.

3– Opozita ka humbë zgjedhjet në nji proces krejt normal në kushtet shqiptare. Normalitetin e humbjes së zgjedhjeve nga Opozita, e kanë pranue, dhe vazhdojnë me e pranue me insistim, miqtë tonë qi shpesh i kena thirrë me na nda davatë tona, si p.sh. në 1997, kur ba mos me pasë ardhë ata, këtu në Shqipni, nuk e di kush kishte me mbetë gjallë, edhe në kuptimin direkt të fjalës, mos me pasë dekë…— ju, a keni kenë këtu, në Shqipni, në 1997?! Me “miqtë tonë” e kam fjalën për ShBA dhe BE.

4- Opozita nuk ka nxjerrë asnji fakt për vjedhje votash nga Maxhoranca, e kam fjalën për fakt qi provon se asht krye nji proces zgjedhor qi nuk asht normal në Shqipninë aktuale. Thanë shkurt, opozita nuk ka nxjerrë asgja qi nuk e ka ba çdo moment edhe vetë. Kjo qi po ban opozita këto ditë, qysh me djegien e mandateve, asht thjesht nji përpjekje me krijue nji situatë artificiale, me sajue nji 1997, nji zhdukje të shtetit si rregullator i qetësisë publike së paku sipërfaqësore, qi vendin e policisë e ushtrisë ta zanë prapë si në 1997, kriminelat ordinerë, dhe e gjithë kjo me qëllimin e vetëm qi hajnat mes saj, Opozitës, banditët sipas jush, t’i pështojnë Vetingut antikorrupsion qi po përgatisin për ta, si edhe për ata të maxhorancës, ShBA dhe BE.

Prumja në Shqipni, e një situate si 1997, për sa i përket disa figurave drejtuese akoma në fik, asht krejt e mundshme, e ajo qi shyqyr Zotit e ban krejt të pamundshme sot, asht mungesa e atij shkatërrimi brenda çdo familjeje shqiptare, që i patëm ba në 1997 këtij Vendi. Kësaj here, e gjthë kjo zullumhane ka me përfundue me disa zullumqarë të futun në burg për pak vjet secili, jo ma tepër se 7 vjet, me zgjedhje të kryeme, ani se hiç bukur ….

Në këtë situatë praktike aktuale, e vetmja zgjidhje e drejtë asht me votue, aq sa dimë e aq sa kena civilizimin aktual ne shqiptarët. Natyrisht, çdo çast duhet me vazhdue përpjekjet, ” të mirët qi nuk bajnë pjesë në asnjenë prej dy bandave”, me pasë zgjedhje sa ma të ndershme. Në këtë përpjekjen e fundit, “zgjedhje sa ma të ndershme”, kena përkrahjen e ShBA dhe BE, gja qi nuk asht gja e vogël!!!

Pra na duhet me ndërtue, e jo me shkatërrue:

me shkue në zgjedhjet e 30 qershorit, me vazhdue me kontribue me e përmirësue Shqipninë…

E përmirësimi duhet me fillue me vendosjen e zgjedhjeve të lira mbrenda vetë partive, si nga mazhoranca aktuale, si dhe nga opozita. Natyrisht, mbetet edhe krijimi i partive përkatëse të pastra, që nuk kanë historik, të kalueme banditeske….

Nejse, të tjerat t’ia lamë kohës.

 

*Bashkim Kopliku, Ish deputet dhe zëvendës kryeministër në qeverisjen e Partisë Demokratike, 1992-97