Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë ditën e djeshme në Tiranë ku në një banesë u gjet i varur një profesor amerikan që punonte në një kolegj privat, ‘Albanian College Tirana’, dhe më pas u gjet e pajetë dhe gruaja e tij të cilën e kishte mbytur, së bashku me dy qentë po ashtu të vrarë prej tij.
Shqiptarja.com shkruan se ngjarja e rëndë mund të ketë ndodhur natën teksa po gdhihej dita e hënë.
Ndërkohë amerikani Matthew James Wertz kishte lënë një letër ku iu drejtohej prindërve dhe iu kërkonte falje se nuk ishte bërë burrë dhe nuk kishte hequr dorë nga veset, duke shtuar se njerëzit e dashur po i merr me vete.
Më pas u shkruante emrat e disa personave që u kishte borxh dhe u thoshte që lekët që kishte lënë në kartë mjaftonin për të shlyer borxhet.
Profesori amerikan kishte 4 vite që jetonte në Shqipëri.
Fillimisht është gjetur trupi i pajetë i profesorit i vetëvarur, ndërsa më vonë, duke kërkuar për prova të reja, janë gjetur trupat e pajetë të bashkëshortes së tij me origjinë nga Indonezia, por me pasaportë amerikane dhe 2 qentë.
55-vjeçari amerikan, pasi e ka mbytur gruan, e ka mbuluar trupin e saj me rroba dhe sipër tyre ka vendosur 2 trupat e mbytur të dy qenve.
Matthew James Wertz kishte munguar ditën e djeshme në punë dhe kjo kishte shqetësuar drejtorin e shkollës “Albanian College Tirana”, i cili ka shkuar në banesën e tij në rrugën ‘Vangjel Noti’ në Laprakë, në kryqëzimin e rrugës “Valbona” me rrugën “Ramazan Ceku”.
Kur ka hapur derën ka gjetur trupat e pajetë dhe ka njoftuar policinë.