Nga: Kimete Berisha/
Serbët e përdorin këtë shprehjen: ‘Ko se bije, taj se voli’, demek ‘Kush rrahet me njëri-tjetrit -duhet’!
Ata kështu na shohin neve shqiptarëve këtyre ditëve, që jemi duke e përjetuar kulmin e dashnisë me njëri-tjetrin!
Ne nuk kemi idioma të tilla, por për ne shqiptarët e Kosovës dashuria është ‘e qetë’ dhe e pagojë! Pak a shumë e përziejmë edhe me moral dashurinë: Nëse thua s’më pëlqen Shqipëria ‘je i pamoralshëm’!
Shqipërinë e kemi dashur, ama vetëm nëpërmjet këngëve folklorike, poemave të mjerimit, fjalëve të qiririt, dallëndysheve, luleve ‘mosprek’…
Dikush e ka dashur aq shumë sa e ka paguar me burg atë dashuri.
Ne nuk e njohim njëri-tjetrin drejtpërdrejt, njihemi veç përmes kujtimeve të trashëguara nga familja…pra, e kemi pasur amanet ta duam Shqipërinë-dhe e duam!
Ama, jo njerëzit, nuk i duam, por vendin!
Se shqiptarët nuk injohim, e Shqipërinë na duket se e bëjnë gjakftohtë shqiptarët, ashtu siç ‘të burgosurit e bëjnë burgun-ferr’.
Kur erdhi koha të njoftohemi, e pamë që ne as gjuhësisht nuk kuptohemi mes vete!
Që asnjë adet nuk e kemi të njejtë dhe se ne jemi më ekspresivë në dashuri, e ata janë më dyshues në dashuri.
Ata nuk e duan njëri-tjetrin, e nuk idhnohen, e ju po idhnoheni që nuk u duan juve.
Është zor ta gjesh një mik (një shok të shpirtit) në Shqipëri! Nuk e di pse!
Ne e kemi idealizuar dashurinë.
Ky është problemi.
Ne mendojmë se dashuri e vërtetë është dashuria e parealizuar.
Na ka mësuar filmi dhe letërsia se si dashuria e vërtetë me happy end nuk është art, prandaj vuajtja jonë është kaq e thellë!
Dashuria duhet të rishkruhet nga letërsia, më besoni.
Shqiptarët e Shqipërisë nuk besojnë hiç në dashuri! Nuk sheh (nuk ndjen), dashuri as në shkrimet e tyre, as në artin e tyre…dhe më mirë se ne i kanë punët…
Sepse nuk e aktrojnë dashurinë, nuk e ruajnë trashëgiminë dashurore për Kosovën, ama e kanë trashëguar frikën nga zemërimi i Kosovës!
Ne frikësohemi se Ata nuk na duan!
Ata frikësohen nga zemërimi ynë!
E ‘Zemërimi nuk mund të jetë i pandershëm’- (Mark Aureli).
Se ne e kemi idealizuar dashurinë për Shqipërinê.
Kur e kemi zbritur në tokë, tash s’po na pëlqen kjo dashuri!
Ata janë praktikë- ne jemi teorikë.
Ata janë të vërtetë, nuk shtiren që na duan – ne shtiremi, pra, siç e ceka më lart ose më poshtë, ne e duam vendin (Shqipërinë), se popullin shqiptar nuk e njohim…populli shqiptar po na e prish atë idealin e dashurisë për Shqipërinë!
Edi Rama është i pari shqiptar që ka guxuar të fjaloset me ne, se të tjerët të gjithë i zgjedhin fjalët kur flasin për ne…na rrinë gati si ‘lopës pa viç’!
Edi Rama e zbret në tokë dashurinë shqiptaro-shqiptare, e nxjerr nga folklori dhe nga ideali.
Mirë ia bën.
Se gjynah, shqiptarët e Shqipërisë guxojnë të prishen e të flasin zi e terr për të dashurit e tyre, por për neve jo, kaq shumë i kemi traumatizuar.
Nuk kemi nevojë për t’u pajtuar, por për t’u njohtuar me njëri-tjetrin.
Nuk jemi lazëm të duhemi me zor e as për hatër të paraardhësve e as për inat të serbëve – thjesht t’i respektojmë dallimet (se edhe ashtu s’ke çare pa i respektuarcse nuk të pyet kush).
Dashuria është luks!
Mjafton respekti!
P.S. Edhe shkenca e ka vërtetuar se kush shtyhet dhe argumenton më shumë me njëri-tjetrin, duhet më shumë.
Heshtja e shuan dashurinë.
Derisa fjalosemi – mirë është puna!