Frrok Çupi/
I dëgjoj të gjithë që flasin e ‘filozofojnë’ si në furrikun e pularisë së katundit. Përmendin emra, bëjnë akuza, dhe në fund thonë edhe se ‘këta jemi ne shqiptarët, nuk bëhemi’. Sa herë më ka neveritur ky arsyetim i ulët!, saqë edhe kur kam dëgjuar dikë në tavolinën matanë, jam ngritur dhe kam lënë kafen. Qysh prej periudhës së izolimit kur ‘Shqipëria ishte fanar i botës’ , qysh atëherë ka mbetur vesi për të mos e lidhur veten me botën ku jetojmë. E pastaj thonë se ‘nuk jemi komunistë’. Edhe lideri më i thekur i antikomunizmit është një komunist në lëkurë. Po, ç’vlerë ka kjo!
Puna është se njerëzit, e mbi të gjitha liderët politikë, nuk e shikojnë krizën tonë të lidhur me krizën rreth nesh. Në fakt kjo gjë na zhyt në krizë edhe më të thellë: Se ndërsa liderët shtetërorë që mbajnë peshën e përgjegjësisë, thonë se: “Nuk jemi të vetëm në krizë” dhe shijojnë faktin që aleatët botërorë nuk e kanë mendjen për krizën ‘e vogël’ shqiptare. Ndërsa liderët e opozitës nuk e njohin rrezikun real që vjen nga lidhja e krizës sonë me krizën në Europë…
Edhe tani kur kriza më e madhe e shekullit u afrua në brigjet e Shqipërisë, klasa politike e ka syrin te furriku i vogël. Në Itali dështoi qeveria populiste, sapo u krijua, pa qeverisur as edhe një ditë. Italia, fuqia e tretë ekonomike e Europës dhe vetë pulsi me të cilin rreth civilizimi Europian, e gjeti veten në një krizë institucionale, në krizën më të rëndë që nga periudha e fashizmit e vitit 1945. Bursa e Milanos dhe bursa të tjera në Europë ranë me më shumë se 2 për qind. Javët që vijnë pritet të afektojnë jo vetëm Italinë, por gjithë Europën… Ndërsa në Tiranë politika është marrë tërë ditën me mburrjet mes dy krahëve politik: “Kush e do më shumë hyrjen në Europë?!” Kur Europa vetë po bën pyetje çfarë do të jetë…
Demagogji e pastër, mashtrim me atë që duket hapur para syve të të gjithëve. Gjatë gjithë ditës politika ka përtypur fjalë për ‘Tahirin’, për ‘Xhafën’, për ‘Dëshmitarin “X”, për gazetarin që përgjoi… Marrëzi totale, ose të paktën papërgjegjësi para publikut. Rreziku i madh vjen nga ngjarja më e madhe që do të afektojë Europën dhe Shqipërinë, ndërsa këta merren me ‘furrikun’.
Në Itali dhe në Europë po bëhet pyetja, thuajse ekzistencialiste: “Kush ka më shumë fuqi, populizmi që po vjen, apo elitat e vjetra që po shkojnë?”. Në politikën e Shqipërisë, as maxhorancë, as opozitë, nuk kanë as më të voglin sinjal se janë ndryshe nga njëra tjetra; këtu nuk ka alternativë. Konservatorizmi, ose siç po quhet ‘populizmi’, këtu nuk ka as më të voglin përfaqësim në opozitën ‘konservatore’. Ndërsa stili demagogjik i politikës do të vazhdojë të sundojë në të dy krahët. Pa shpresë…
Mes Italisë dhe Brukselit është krijuar hendek i vërtetë, pavarësisht ‘cili do të fitojë’ në zgjedhjet e parakohshme që thuajse u shpallen sot me qeverinë teknike. Presioni i Francës, Gjermanisë dhe institucioneve të BE në Bruksel, nga italianët po konsiderohet si gjuha ‘astuta serpente’ ( gjuha e mprehtë ) e gjarprit. Hendeku i krijuar mes Romës dhe Brukselit zor se mund të mbyllet, aq më tepër në krizën e BE që po shkon përditë më thellë. Në Brukselin e inatosur tonet anti- italiane po ngjiten në qiell, derisa votuesit e partive fituese populiste po i akuzohen se “Roma hap portat e Barbarizmit Modern”. Kush po e bën mësuesin dhe gishtin tregues të historisë? Populistët që po vijnë furishëm, apo elitat e vjetra që po largohen?…
Populistët, politikanët e rinj, kanë në plan të hyjnë nëpër shpenzimet e vendeve të tyre dhe të BE, duke goditur taksat e larta, shpenzimet e tepërta të luksit të administratës, keqpërdorimin e fondeve, politikën e shtrëngimit dhe të lypsarëve për popujt dhe- në emër të popullit- për të shkallmuar rregullat fiskale të BE ose edhe për të abandonuar monedhën e vetme, që për BE po shkakton një “horror show”… Në Tiranë, në orët që zhvillohet ‘drama’ Europiane, politika luan me interesa të vogla që nuk lidhen as me taksat, as me urinë, as me lypsarët, as me jetën e njerëzve. Piku i valës politike është ‘kush m’i vodhi votat’ dhe ‘ cili do të rrëmbejë pushtetin’.
Këtu, në fushën politike, nuk ka jetë për njerëzit. As kriza, as zhvillimi në Europë- nuk ndezin as flakë qiriu për politikën shqiptare. Në Europën ku po zhvillohen skenat e krizës, të paktën ka një shpresë, shpresën se ka një kundërshti të fortë. Elitat e vjetra e kanë ngarkuar propagandën e tyre kundër populistëve me ‘rrezikun’ se po prishin staus- quonë dhe se po shkatërrojnë bankat dhe investimet. Në fakt populistët kanë në thelb qëllimin që t’i ndalojnë këto për të cilat akuzohen; populsitët kanë shpallur qëllimin që ta bëjnë njeriun të aftë përsëri. Votuesit italianë votuan për politika të tilla; votuesit e ‘Pesë Yjeve’ ndoqën sloganin ‘Vaffa!’, (Fuck off- në anglisht), por edhe ata të ‘League’ votuan me parullën ‘ Roma Ladra’ (Thieving Rome).
Në Europën e krizës kulmore, megjithatë, ka jetë…
Kur do të nisë jeta për ndryshim në politikën shqiptare?…
VERITAS.COM.AL/